Vetëgjyqësia, vazhdon të mbetet rruga me e shkurtër për shqiptarët, për të çuar në vend një çështje. Vrasjet tragjike të ditëve të fundit, në Shkodër dhe Elbasan, kanë treguar se shumë shqiptarë nuk kanë besim tek drejtësia dhe i lajnë vetë hesapet me gjakësin e tyre. Shkodra është njohur gjithnjë si vendi ku gjakmarrja është në shifra alarmante, por tashmë ky fenomen ka zbritur edhe në qytete ku hasej shumë rrallë. Elbasani është një prej tyre, ku për gjakmarrje u shua një familje e tërë. Edhe pse jemi një vend anëtarë i NATO-së dhe pretendentë për në Bashkimin Europian, duket se ky fenomen nuk ndal. Sipas një raporti të publikuar në “Open Data Albania”, rastet e gjakmarrjes kanë ardhur në rritje ndërsa në vitet 2010-2011 vrasjet janë edhe më çnjerëzore.

Viti 2009 rritje të rasteve

Gjakmarrja ose është një fenomen kriminal, që për fat të keq është ende prezent e në rritje në vendin tonë. Si një traditë e trashëguar nga drejtësia primitive, fenomeni i gjakmarrjes në dy dekadat e fundit ka dëshmuar rast pas rasti e në tërësi edhe defekte te luftës kundër kriminalitetit dhe mosbesimin qe ka komuniteti ndaj policisë dhe drejtësisë. Vitet nëntëdhjetë si vite me kriminalitet të lartë dhe në rritje u shoqëruan me një numër të madh vrasjesh në emër të vetëgjyqësisë dhe anarkisë. Jo pak raste të vrasjes për gjakmarrje u riaktivizuan pas disa vendimeve gjyqësore me masa dënimi minimale ndaj autorëve që kishin kryer krime të rënda. Edhe fenomeni ku persona të kërkuar për krime të rënda ndaj personit, të pa arrestuar janë gjetur nga familja e viktimës e janë ekzekutuar në emër të drejtësisë mesjetare, kanë qenë jo të pakta.

Gjakmarrja në vitet 2000 më “mizore” se në Kanune

Në emër të drejtësisë kanunore në njëzet vite janë kryer krime të cilësuara për gjakmarrje por të pabazuara në zgjidhjen e të drejtës kanunore (Kanuni i Lekë Dukagjinit; Kanuni i Skënderbeut; Kanuni i Labërisë). Kështu vrasja e një gruaje për shpagimin e krimit të kryer nga i biri, marrja e gjakut tek fëmijë të parritur, ekzekutimi i një kleriku apo vendimi për gjakmarrje pa pleqësi janë forma që përkojnë me thyerje të rënda edhe të së drejtës sonë të pashkruar që përkon me rregullime të shekujve të mëparshëm. Për shkak të lëvizjeve qytetare, ndërgjegjësimit social, forcimit të rendit dhe sigurisë në vend në vitet 2004 – 2007 ky lloj krimi pati një rënie sipas statistikave zyrtare. Një analizë e “Open Data Albania” konfirmon se në 2009 numri i krimeve dhe çështjeve penale të gjykuara për gjakmarrje ka pësuar rritje ndërsa ngjarje të 2010-ës dhe fillimit të 2011 shënojnë ashpërsim të formës së ekzekutimit për gjakmarrje.

Ligji Penal në Republikën e Shqipërisë

Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë ka 3 nene që parashikojnë krime/vepra penale që lidhen me fenomenin e Gjakmarrjes. Përkatësisht janë Neni 78/2 Vrasje me paramendim për gjakmarrje; Neni 83/a Kanosje serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje; Neni 83/b Nxitje për gjakmarrje.

“Open Data Albania”: Numri i vrasjeve për gjakmarrje po rritet

Në total në harkun kohorë 2004 – 2009 janë dhënë nga Gjykatat 117 vendime të formës së prerë për çështje që lidhen me gjakmarrjen dhe janë dënuar 94 autorë.“OD Albania”: Në gjashte vite çështje gjyqësore për vrasje për gjakmarrje janë 106, ndërsa të dënuar për vrasje për gjakmarrje janë 83 autorë. Viti me më shumë vendime penale për gjakmarrje është viti 2004 me 28 çështje. Viti me më shumë autorë të dënuar për gjakmarrje është vitit 2006 me 22 autorë. Çështjet gjyqësore për gjakmarrje kanë shënuar rënie në harkun kohorë 2004-2008 dhe më pas rritje në vitin 2009.

Vrasje për Gjakmarrje. Sipas “Open Data Albania”, çështje të proceduara dhe të përfunduara me vendim forme të prerë nga gjykatat për veprën penale vrasje për gjakmarrje neni 78/2 janë si më poshtë:

2004     27 çështje     6 autorë
2005     21 çështje     17 autorë
2006     18 çështje     19 autorë
2007     13 çështje     14 autorë
2008     12 çështje     15 autorë
2009     15 çështje     12 autorë
Totali     106 çështje   83 persona

Në total janë njëqind e gjashtë çështje dhe të dënuar si vrasës për gjakmarrje janë tetëdhjete e tre persona. Viti 2009 ka numër më të lartë çështjesh se dy vitet pararendës 2008 me 13 çështje dhe 2007 me 12 çështje. Kërcënimi për Gjakmarrje, imponimi për tu ngujuar. “Open Data Albania” publikon se pas rregullimeve në Kodin Penal shqiptarë domethënie ka marrë edhe procedimi i personave që kërcënojnë për gjakmarrje, persona përgjegjës për ngujimin e familjeve shqiptare. Numri i çështjeve të proceduara dhe përfunduara sipas nenit 83/a “Kanosje serioze për hakmarrje ose gjakmarrje” në gjashtë vite është dhjetë çështje:

2004     1 çështje     0 autorë
2005     4 çështje     4 autorë
2006     2 çështje     3 autorë
2007     1 çështje     1 autorë
2008     0 çështje     0 autorë
2009     2 çështje     2 autorë
Totali    10 çështje    10 persona

Nxitës për gjakmarrje. Një tjetër vepër panele e konsideruar e lidhur me gjakmarrjen është edhe veprimi kriminal që parashikohet në nenin 83/b të Kodit tone Penal “Nxitje për gjakmarrje”. Pothuaj çdo vrasje apo kërcënim i bërë për gjakmarrje në kontekstin social ka nxitës dhe bashkëpunëtorë që stimulojnë shpagimin e një krimi nëpërmjet ekzekutimit të autorit apo të afërmve të tij. Ky fakt i dukshëm në kontekstin shoqëror dhe i shfaqur në pasqyrimin mediatik nuk gjen mishërim në qëndrimin e organit procedues gjatë hetimit të vrasjeve për gjakmarrje. Në harkun kohorë të viteve të fundit ky nen është aplikuar vetëm në një rast. Ndërsa rrethi i personave që nxisin për shpagim të një krimi nëpërmjet vrasjes është tejet i madh.

Raste të rënda 2010 dhe 2011.Tetor 2010, Vrasja e Klerikut.

E drejta e pashkruar kanunore konsideron krim të rëndë dhe dhunim të gjithë komunitetit vrasjen e një kleriku (person i dedikuar fesë). Në datën tetë shtator 2010 në Shkodër një njëzet e një vjeçar Mark Njemza vrau me armë zjarri pistoletë njëzetenëntë vjeçarin Dritan Prroni i njohur nga mbarë komuniteti shkodran si Pastor pranë kishës “Fjala e Krishtit”. Njemza, autor i krimit deklaron se kishte vrarë për gjakmarrje pasi në 2005 xhaxhai i viktimës i kishte vrarë të vëllanë. Krimi i rëndë u konsiderua i papërshtatshëm edhe nga komuniteti konservator që njeh dhe pranon mentalitetin e shpagimit nëpërmjet gjakmarrjes për dy arsye: së pari viktima ishte një klerik (pastor) kategori që sipas të drejtës zakonore nuk “bie në gjak”, dhe së dyti lidhja e viktimës me krimin e shpaguar ishte e largët, gjakmarrje për një veprim të kryer nga xhaxhai.

Janar 2011. Vrasja nga një i mitur, prokuroria “neglizhon” nxitësit e krimit

Ndërrimi i viteve në qytetin verior të Shkodrës është shënuar me një vrasje tronditëse për gjakmarrje. Ekzekutori i krimit është një pesëmbëdhjetëvjeçarë me inicialet I. Sh i cili vetëm dy orë përpara mbërritjes së 2011 ka qëlluar me armë automatik një tridhjetëvjeçarë me emrin Albert Dhampiraj. Pesëmbëdhjetëvjeçari ka kryer krimin për të “marre gjakun” e babait të tij të vrarë vite më parë nga viktima. Aktualisht edhe pse i mitur autori mbahet në ambientet e paraburgimit në Shkodër. Për rehabilitimin e tij, si një i mitur i gjendur përpara një presioni të rëndë emocional e social për humbjen e te atit nuk është programuar ndonjë masë gjyqësore nga drejtësia në rrethin verior. Prokuroria e rrethit Shkodër ka formuluar akuzën e pranuar nga i mituri pa zgjeruar rrethin e hetimit tek persona nxitës të mundshëm, apo bashkëpunëtore në kryerjen e krimit apo në sigurimin e armës nga i mituri. Në bazë të nenit 83/a përgjegjësi penale në raste të tilla kanë edhe familjarët apo rrethi shoqërorë që ka nxitur autorin, për më shumë në moshë të mitur të vrasë për gjakmarrje.