Një anë shumë e rëndësishme e arsimit të lartë është cilësia e tij. Ndërsa janë bërë shumë hapa për masivizimin, rëndësi ka filluar t’i kushtohet edhe vlerësimit të cilësisë.  Kështu, që në vitin 1999, u krijua me ligj sistemi i akreditimit me dy përbërës të rëndësishëm: Agjensia Publike e Akreditimit për Arsimin e Lartë (APAAL) dhe Këshilli për Akreditimin. Ky sistem kontrollon dhe organizon Sigurimin e Jashtëm të Cilësisë, përmes dy proceseve: vlerësimit dhe akreditimit.

APAAL është përgjegjëse për vlerësimin e jashtëm të programeve dhe Institucioneve Publike dhe Private të Arsimit të Lartë përpara licencimit të tyre dhe gjatë zhvillimit të veprimtarisë. Ajo duhet të kryej edhe analiza dhe vlerësime sistematike krahasuese midis IAL-ve dhe programeve të tyre.

Këshilli Akreditimit është një organ kolegjial, i cili në bazë të vlerësimit të APAAL-së rekomandon akreditimin ose jo të IAL-ve. Vendimi përfundimtar mbi akreditimin i takon Ministrit të Arsimit.

Përvec Sistemit të Jashtëm të Cilësisë, funksionon edhe Sistemi i Brendshëm i Cilësisë. IAL-të janë përgjegjëse për të dhe ngrenë njësinë përkatëse për sigurimin e brendshëm të cilësisë, e cila vlerëson periodikisht efikasitetin e veprimtarive mësimore, kërkimore, administrative, financiare, etj, të institucionit. 

Akreditimi i Institucioneve të Arsimit të Lartë Privat

Akreditimi (accreditation) është procesi nëpërmjet të cilit realizohet certifikimi i  besueshmërisë, autoritetit, mundësisë dhe aftësisë.  Në arsimin e lartë, akreditimi është një proces sigurimi cilësie, gjatë të cilit, një organizëm i jashtëm (në rastin tonë APAAL-ja) vlerëson përputhjen e shërbimit dhe aktivitetit të IAL-së apo programeve të tij me standartet.

Pse është kaq i rëndësishëm akreditimi?   

Vendimi pas vlerësimit të jashtëm të cilësisë mund të jetë pozitiv, me kusht ose negativ. Nëse IAL-ja ose programi merr vlerësim negativ, atëherë ky institucion ose program nuk njihet zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë, për rrjedhojë diploma që studentët fitojnë nuk është e vlefshme.

Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 38 universitete private, me rreth 322 programe studimi. Një pjesë e tyre janë licencuar, akredituar, janë në proces akreditimi ose me kusht, ose nuk kanë fituar asnjë nga këto.

Burimi: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Përpunimi dhe komentet: Open Data Albania

Sic mund të shikohet edhe nga grafiku, vetëm 25% e programeve të universiteteve private janë akredituar. Në vijim të procesit janë 20 programe, ndërkohë që pjesa më e madhe janë ende të paakredituar. Akreditimi i universiteteve private merr njërëndësi të vecantë për publikun, pasi janë institucione të reja dhe jo shumë të konsoliduara. Ndërsa për arsimin publik është një krijuar një traditë dhe një opinion i fituar ndër vite, informacioni i vetëm për të gjykuar mbi morinë e universiteteve private në qarkullim, për momentin mbetet akreditimi, i cili supozon plotësimin e standarteve.  

Interesante është prezenca e institucioneve “të palicencuara dhe paakredituara”. Kjo iu referohet programeve Bachelor apo Master të cilat nuk kanë marrë akoma miratimin as nga Këshilli i Ministriave për fillimin e punës. Me fjalë më të thjeshta, janë aktivitete që as nuk duhet të ekzistonin, pasi marrja e licencës është hapi i parë drejt krijimit të një programi.

Ajo që përbën interes në këtë mes është sjellja e publikut kundrejt IJPAL me programe të paakredituara. Nëse një student është pjesëmarrës i një programi ende të paakredituar, ai: ose është i sigurt që insititucioni do e fitojë akreditimin, ose nuk ka informacion mbi riskun që po përballet sepse nëse programi nuk akreditohet, ai do të gjendet në dorë me një diplomë të pavlefshme.

Nëse do iu referohemi Institucioneve Jo Publike të Arsimi të Lartë, situata paraqitet si me poshtë

Burimi: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Përpunimi dhe komentet: Open Data Albania

Deri tani, janë akredituar 14, nga 38 IJPAL, që do të thotë më pak se 50%. Në kushtet e një sigurie absolute si nga ana e universiteteve private, edhe nga ana e studentëve në nismën e tyre për arsimim pranë tyre, natyrshëm lind pyetja nëse procesi i akreditimit është një proces real, që vlerëson me të vërtet cilësinë, apo është një hallkë shtesë në institucionet shtetërore, e cila krejt formalisht certifikon aftësinë dhe mundësinë e këtyre universiteteve për të përgatitur profesionistë të ardhshëm