Ish anëtari i komisionit për miratimin e çmimeve të municioneve rrëfen llogaritjet për leverdinë me demontimin

“Arsyeja se pse në Gërdec demontoheshin kalibrat 37 mm ishte sepse të gjithë kalibrat e tjerë më të vegjël dilnin me humbje dhe pa fitim për Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm kalibri 37 mm dilte me fitim për shitjen e tunxhit. Oferta për demontim nga kompania ishte e vetme”. Kështu është shprehur Rezart Tërshana, përgjegjës i sektorit të legjislacionit në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2008 dhe anëtar i komisionit për miratimin e çmimeve të municioneve.

Përpara togave të zeza, ish anëtari i komisioni për përcaktimi e kostos së municioneve u shpreh se në bazë të një përllogaritje e cila shënohej në tabelën e produkteve për tu demontuar, pasi u bënë diferencat e procesit demontues rezultoi se kalibrat e vegjël nuk kishin leverdi ekonomike, gjë që bëri që në Gërdec të magazinoheshin sasi të mëdha të kalibrit 37 mm. “Menjëherë pasi na erdhi urdhri i firmosur nga ministri i Mbrojtjes, në ministri u ngrit një grup ekspertësh për të studiuar kostot e demontimit, kështu që ne zgjodhëm këtë kalibër për demontim”, vazhdoi më tej anëtari i komisionit për miratimin e çmimeve të municioneve. I pyetur nga prokurorët a ishte e vetmja ofertë që ishte bërë pranë komisionit të çmimeve, Tërshana u shpreh se në bazë të shkresave zyrtare të ardhura në ministri, kjo ishte e vetmja ofertë për demontimin.

Ndërsa ka shpjeguar për gjykatën se ka zbatuar vetëm ligjin në funksionin e tij dhe se dokumentet e procesverbalet e firmosura nga ky i fundit kanë qenë konform ligjeve. Gjyqi për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, është një nga proceset më të mëdha gjyqësore të hapura në vend. Për tragjedinë e 15 marsit 2008 prokuroria ka dërguar në gjykatë dosjen me 28 të pandehur dhe akuzoi për shpërdorim detyre ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit. Por, Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen ndaj Mediut pasi ai është veshur me mandatin e deputetit nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzim penal ndaj ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, mirëpo ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare se çfarë ka ndodhur me kallëzimin e tyre. Ata kërkojnë rihapjen e çështjes ndaj Fatmir Mediut.

 Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, ish-drejtori Teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeçi, janë të detyruar të paraqiten përpara togave të zeza, vendim ky që është dhënë pas lirimi të tyre nga qelitë. Ngjarja e ndodhur në Gërdec të Vorës, ka pasur një kosto të rëndë financiare për buxhetin e shtetit. Shpërthimet e ndodhura, i pari në ora 12:10 dhe i dyti në ora 12:29, me magnitudë ML = 2.5 të shkallës riter, preku zonat Gërdec, Marqinet, Gjokaj dhe qytetin e Vorës. Nga ngjarja humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën 400 të tjerë, nga të cilët, 300 të trajtuar në spitale, përkatësisht: 170 në Spitalin Ushtarak Tiranë; 63 të plagosur në QSUT; 44 të plagosur në spitalin e Durrësit; 3 të plagosur në spitalin e Krujës. Një numër prej 24 të plagosurish u dërguan për mjekim jashtë vendit, në Itali, Zvicër, Greqi dhe Turqi.

Rreth 4 mijë persona u evakuuan ose u larguan me mundësitë e tyre, 10 mijë u prekën nga ngjarja. Sipas Open Data Albania, në një studim për transparencën e fondeve publike, në buxhetin e shtetit (faktik) për vitin 2008 rezultojnë të shpenzuara në total 2 879 milionë lekë për ngjarjen dhe pasojat e tragjedisë së Gërdecit. Nga këto, 489 milionë lekë ose 0,4 miliardë ishin të ardhura nga donacionet në llogarinë e hapur nga qeveria, ndërsa shpenzime të bëra ishin 2390 milionë, apo 2.39 miliardë lekë. Buxheti i shtetit ka dhënë në total në vitin 2008, 52 000 000 lekë për familjet e 26 viktimave. Dhënie ndihme të menjëhershme financiare familjeve, shtëpitë e të cilave janë të pabanueshme, 50 000 lekë për person, por jo më shumë se 200 000 lekë për familje, me efekt total 113 000 000 lekë. Efekti total financiar është 54 527 200 lekë, i përballuar nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.