Shqipëria vjen menjëherë pas Greqisë, po të marrësh në analizë nivelin e borxhit publik të vendit, në krahasim me sasinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto në një vit. Sipas “Open Data Albania“, që përdor shifra të vlerësimeve nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare, duke filluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si dhe statistikat zyrtare shqiptare, në vitin 2000 vendi ynë ka qenë në vendin e katërt, midis shteteve fqinjë, por situatë ka rrëshqitur sidomos vitet e fundit, pas investimit të bërë në rrugën Durrës-Kukës. Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer.

Sa më e madhe të jetë pesha e këtij borxhi ndaj Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), aq më e madhe është edhe pesha e interesit të paguar në vit ndaj PBB-së. Në rastin e vendit tonë, stoku i borxhit publik për 2009-ën ishte rreth 680 miliardë lekë ose 59.5% e PBB-së. Rreth 61% e këtij borxhi përfaqësohet nga borxhi i brendshëm, ndërsa pjesa tjetër nga borxhi i jashtëm.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria paraqitet si më poshtë:

Shqipëria ka stokun e borxhit më të lartë në rajon pas Greqisë (115.2%). Ndërkohë pas Shqipërisë (59.9%) renditen: Turqia (45.5%), Mali i Zi (38.25%), Serbia (35.6%), Kroacia (35.41%), Bosnja e Hercegovina (35.37%) dhe Maqedonia (23.48%).

Duke bërë një analizë kohore, vihet re se vendi me uljen më drastike të borxhit publik gjatë dhjetëvjeçarit të fundit është Serbia, ndërsa vendi me rritjen më të madhe të këtij parametri jetik për ekonominë e një vendi është Greqia.

Në rastin e Shqipërisë, stoku i borxhit ndaj GDP-së ka qenë thuajse konstant, por duke pasur parasysh rritjen vjetore të PBB-së gjatë këtij dhjetëvjeçari, atëherë mund të thuhet se edhe borxhi është rritur thuajse me të njëjtën normë. Edhe pse nuk është i vetmi tregues, pesha e borxhit ndaj PBB-së është një ndër elementet kryesore që analizohet nga investitorët në tregjet financiare dhe ndikon në normën e interesit dhe perceptimin e tregut për borxhin e një vendi.

Ndërkohë, sipas studimit të kryer pak muaj më parë nga “International Budget Partnership” (IBP), në bashkëpunim me 94 institucione kombëtare kërkimore në të katër anët e botës, lidhur me analizën “Buxheti i Hapur”, vendi ynë vlerësohet me 33 pikë lidhur me transparencën e buxhetit. Ky rezultat e vendos Shqipërinë një pikë me poshtë se Venezuela, e kritikuar shumë vitet e fundit për metoda diktatoriale të drejtimit të shtetit. Sipas vlerësimit, qeveritarët tanë nuk bëjnë publike të tetë dokumentet-kyç, që lidhen me çështjen e buxhetit dhe që ato janë të detyruara të nxjerrin.

 Nga ana tjetër, jo gjithnjë ofrojnë informacion gratis dhe në çdo kohë lidhur me këto dokumente. Pavarësia dhe mundësia e mbikëqyrjes së buxhetit për institucionet, që lejohet ta bëjnë një gjë të tillë, janë në nivel të ulët, konstaton raporti.

Gazeta Shqiptare, 3 Mars 2011, Ekonomi.