Vrasjet në emër të gjakmarrjes në vendin tonë sa vijnë e bëhen më çnjerëzore. Madje në shumicën e rasteve ata janë shumë më mizore se sa ligjet e Kanunit, i cili ka rregulluar jetesën e shqiptarëve, kur ende nuk kishim shtet. Sipas statistikave të bëra publike nga ministria e Drejtësisë dhe “Open Data Albania”, megjithëse është rritur numri i gjykimeve penale për krimin e gjakmarrjes, ajo që vihet re është tendenca drejt një forme shumë më të egër të kryerjes së këtyre vrasjeve.

Gjakmarrja

Statistikat tregojnë se në vitin 2009 ka rritje të rasteve, por në 2010 dhe 2011 vrasjet bëhen më të rënda e më çnjerëzore. “Si një traditë e trashëguar nga drejtësia primitive, fenomeni i gjakmarrjes në dy dekadat e fundit ka dëshmuar rast pas rasti e në tërësi edhe defekte të luftës kundër kriminalitetit dhe mosbesimin që ka komuniteti ndaj policisë dhe drejtësisë. Vitet nëntëdhjetë si vite me kriminalitet të lartë dhe në rritje u shoqëruan me një numër të madh vrasjesh në emër të vetëgjyqësisë dhe anarkisë. Jo pak raste të vrasjes për gjakmarrje u riaktivizuan pas disa vendimeve gjyqësore me masa dënimi minimal ndaj autorëve që kishin kryer krime të rënda. Edhe fenomeni ku persona të kërkuar për krime të rënda ndaj personit, të pa arrestuar janë gjetur nga familja e viktimës e janë ekzekutuar në emër të drejtësisë mesjetare, kanë qenë jo të pakta”, – thuhet në materialin analitik të përgatitur nga “Open Data Albania”.

Fenomeni

“Gjakmarrja në vitet 2000 më “mizore” se në Kanune. Në emër të drejtësisë kanunore në njëzet vite janë kryer krime të cilësuara për gjakmarrje, por të pabazuara në zgjidhjen e të drejtës kanunore (Kanuni i Lekë Dukagjinit; Kanuni i Skënderbeut; Kanuni i Labërisë). Kështu vrasja e një gruaje për shpagimin e krimit të kryer nga i biri, marrja e gjakut tek fëmijë të parritur, ekzekutimi i një kleriku apo vendimi për gjakmarrje pa pleqësi janë forma që përkojnë me thyerje të rënda edhe të së drejtës sonë të pashkruar që përkon me rregullime të shekujve të mëparshëm. Për shkak të lëvizjeve qytetare, ndërgjegjësimit social, forcimit të rendit dhe sigurisë në vend në vitet 2004 – 2007 ky lloj krimi pati një rënie sipas statistikave zyrtare”, – sqaron më tej “Open Data”. Një analizë e “Open Data Albania” (të dhënat janë marrë nga ministria e Drejtësisë) konfirmon se në 2009 numri i krimeve dhe çështjeve penale të gjykuara për gjakmarrje ka pësuar rritje ndërsa ngjarje të 2010-ës dhe fillimit të 2011 shënojnë ashpërsim të formës së ekzekutimit për gjakmarrje. Sipas Open Data Albania numri i vrasjeve për gjakmarrje po rritet.

Në total në harkun kohorë 2004 – 2009 janë dhënë nga gjykatat 117 vendime të formës së prerë për çështje që lidhen me gjakmarrjen dhe janë dënuar 94 autorë. Sipas “Open Data” një tjetër vepër panele e konsideruar e lidhur me gjakmarrjen është edhe veprimi kriminal që parashikohet në nenin 83/b të Kodit tonë Penal “Nxitje për gjakmarrje”. Pothuaj çdo vrasje apo kërcënim i bërë për gjakmarrje në kontekstin social ka nxitës dhe bashkëpunëtorë që stimulojnë shpagimin e një krimi nëpërmjet ekzekutimit të autorit apo të afërmve të tij. Ky fakt i dukshëm në kontekstin shoqëror dhe i shfaqur në pasqyrimin mediatik nuk gjen mishërim në qëndrimin e organit procedues gjatë hetimit të vrasjeve për gjakmarrje. Në harkun kohorë të viteve të fundit ky nen është aplikuar vetëm në një rast. Ndërsa rrethi i personave që nxisin për shpagim të një krimi nëpërmjet vrasjes është tejet i madh.



Gazeta Shqiptare,Sociale, 27/02/2011.