E keni parasysh atë reklamën e një kompanie telefonash me mamanë që mundohet t’i marrë pluhurat kompjuterit kur e gjen të lirë, pasi djali nuk shkëputet kurrë që andej? Përtej gjetjes si reklamë, ai është shembulli më i mirë për të treguar se ku gjenden gratë sot në raport me teknologjitë e informacionit: ato janë duke marrë pluhurat! Këtu e kam fjalën për masën kritike të grave, që aq shumë e kërkojnë në atë 51 përqindëshin e shkretë kur vjen puna te fushatat politike apo kauza të tjera që kanë të bëjnë me barazinë gjinore.
Lëvizja për të drejtat e gruas në Shqipëri ka emra të nderuar, por ato sërish janë pak. Mirëpo dihet që në çdo lëvizje numrat kanë rëndësi. Duhen shumë njerëz për të krijuar e mbrojtur një kauzë që vë në lëvizje mekanizmat e pushtetit dhe këtë sot mund ta bëjë teknologjia. Ne nuk mund të jetojmë në kohën e internetit dhe t’i mobilizojmë komunitetet si në kohën e gurit. Organizatat që punojnë në këtë lëmë mund t’ju tregojnë se ç’heqin për të mbledhur 20 gra në një takim. Shqipëria është ende vend i vogël, por sërish impenjimet personale i kanë larguar njerëzit nga njëri-tjetri. Shto këtu problemet e infrastrukturës fizike dhe mendësinë e atij babuçit te filmi “Në fillim të verës” (“me shoqet, me shoqet”) dhe vështirësia e grave për t’u organizuar si komunitet, bëhet e pamundur.
Për t’u prerë hovin të gjithë atyre që e kanë në majë të gjuhës justifikimin se Shqipëria është e prapambetur në këtë drejtim, po ju them se sipas të dhënave më të fundit publikuar nga Open Data Albania, numri i përdoruesve të internetit në Shqipëri po i afrohet gjysmës së popullsisë. Për fat të keq, nuk kemi të dhëna sipas gjinisë, moshës, vendbanimit, por kaq mjafton për të gjykuar një prirje që ka shanse të rritet. Gratë nuk mund të mbeten mbrapa në këtë drejtim nëse duan të ecin përpara.
Jo vetëm kaq, por ato duhet t’i krijojnë vetes mundësitë për ta ndryshuar këtë realitet në favor të tyre. Ekzistojnë shumë OJF e projekte që i ndihmojnë gratë të hapin biznese, të bëhen parukere, rrobaqepëse, po bashkë me makinën qepëse mund t’u japin edhe një kompjuter, t’i mësojnë si të hapin një adresë email-i, si të lundrojnë në internet, si të hapin një faqe të thjeshtë, si ta përdorin internetin për të shitur prodhimet e tyre online etj., etj. Këtë mund ta bënin shumë mirë edhe revistat femërore, por ato për fat të keq nuk i kushtojnë rëndësi teknologjisë, duke e përforcuar stereotipin se teknologjia është për meshkujt, ashtu si sporti dhe makinat, ndërsa grave u kanë lënë modën, gatimin dhe kozmetikën.
Nëse kjo ju duket utopi, hidhni një sy në vendet e zhvilluara dhe shihni sesi po i nxitin atje njerëzit të ecin me hapin e moshës së internetit. Për shembull, në Britaninë e Madhe janë afro 9 milionë vetë që nuk e kanë përdorur kurrë internetin. 4 milionë prej tyre janë nga grupet më të pafavorizuara, 39 për qind janë mbi 65 vjeç dhe 19 për qind janë familjarë me fëmijë. Sipas Catherine Butler, kampionia dixhitale e qeverisë angleze që drejton fushatën “Garo në linjë 2012”, barrierat për të mësuar nuk lidhen vetëm me financat, por më shumë janë “mungesë motivimi, aksesi ose aftësish”. Një vlerësim që i shkon për shtat edhe situatës në Shqipëri.
Ka me qindra histori suksesi sesi teknologjia e lëvizshme u ka revolucionarizuar jetën grave, duke u lënë më shumë kohë për familjen, veten, karrierën. Teknologjitë e informacionit, përveç përfitimeve në planin personal, kanë përparësinë se mund të jenë një mjet përbashkues i grave, mund të krijojnë komunitete të vogla, forume online ku të flasin, të shkëmbejnë ide, mendime, mund të krijojnë mediat e tyre, të mbledhin fonde, të bëjnë të njohur një kauzë, një nismë. Ka shumë shembuj sesi mund të bëhet kjo, mjafton vetëm pak vullnet dhe dëshirë për t’i ndryshuar gjërat. Aq ndryshe sa ndonjë ditë do të shihnim të njëjtën reklamë po me role të ndryshuara, me djalin që i thotë mamasë: po lëviz pak o ma, se nuk kam kur t’i marr pluhurat.