Në një raport të publikuar të shtunën nga “Open Data Albania” thuhet se “plazhet shqiptare janë në rrezik të madh”. Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, plazhet më të ndotura janë në Durrës, Kavajë, Vlorë e Sarandë. Ndërkohë që me cilësi më të mirë paraqiten Borshi, Dhërmiu, Shëngjini, Velipoja e Himara.

“Shumë të ndotur paraqiten sidomos plazhet pranë Torres, Plepat dhe Ish-kampi i pionierëve, rreth dhjetë herë mbi normën e lejuar. Ndotja në plazhet e qytetit të Durrësit është përkeqësuar shumë nga mungesa e kanalizimeve të ndërtimeve të reja, sidomos në zonën e Plazhit”, thuhet në këtë raport.

Ndërsa në plazhin e Kavajës ka rezultuar në dhjetë përqind të stacioneve të monitoruara me cilësi të shkëlqyer, 50 përqind me cilësi të mirë, ndërsa në 40% të tij me cilësi të dobët, me domosdoshmëri për ndërhyrje të menjëhershme. “Plazhet më të ndotura janë ai i Golemit dhe zona e Vaporit të Mbytur, që janë gjithashtu edhe ndër plazhet më të populluara”, thuhet në këtë studim.

Edhe plazhi i qytetit të Vlorës paraqitet shumë i ndotur, sidomos zona e Shkollës së Marinës, e cila është vlerësuar jashtë çdo parametri të mundshëm dhe burim i jashtëzakonshëm infeksionesh. Sipas këtij studimi jo rastësisht Durrësi, Golemi dhe zona e qytetit të Vlorës janë më të ndoturit, pasi janë zonat me ndërtime të shumta dhe pa kriter.

“Ndërsa ISHP jep sinjalin e alarmit dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme që prej shumë vitesh, masat duket se janë inekzistente”, vijon raporti i Open Data. Dy nga indikatorët më të rëndësishëm të cilësisë së ujërave detare, të cilët lidhen me mikroorganizma të ndotjes fekale janë: koliformet fekale (Fecal Coliforms – FC) dhe enterokoku intestinal (Intestinal Enterococus – IE). Nëse disa prej tyre ende janë nën kufijtë e ndotjes, kjo nuk vjen për shkak të menaxhimit të kujdesshëm të tyre, por thjesht për inertësi dhe frekuentim jo masiv”, vijon raporti.