Kosto e borxhit krahasuar me disa tregues fiskal dhe PBB-në në periudhën 1993-2011. Për të krijuar një ide më të qartë se sa i kushton një shteti shuma e interesave që paguan, ajo mund të vendoset përballë disa treguesve të tjerë fiskal si dhe PBB-së.

Kosto e borxhit përballë shpenzimeve kapitale dhe shpenzimeve të personelit

Burimi: Minstria e Financave
Të dhënat 1993-2010 janë shifrat faktike
Të dhënat për vitin 2011 janë parashikime të marra nga Buxheti i Konsoliduar për këtë vit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Shpenzimet që qytetarët shqiptarë paguajnë për interesat janë të krahasueshme me shpenzimet kapitale (investimet) apo me pagat dhe kontributet e paguara për punonjësit e administratës publike. Një sasi e madhe e të ardhurave shkon për mbulimin e pashmangshëm të kostos së borxhit.

Në vitin 1998 janë paguar interesa më shumë se sa janë dhënë rroga e akoma më shumë se sa janë investuar, ndërsa në 2003-shin janë paguar interesa pothuajse në të njëjtën masë që janë shtruar rrugë, ndërtuar spitale apo shkolla. Pra, kostoja e borxhit ka barazuar investimet.

Në tre vitet e fundit, shqiptarëve iu kushton borxhi i marrë ndër vite më shumë se sa 60% e kostos së mbajtjes së administratës publike dhe gati 70% në 2011-n. Shifrat janë alarmante edhe kur krahasohen me investimet.

Nga 38% e investimeve në 2009-n, në 62% e 58% në dy vitet në vijim. Kjo shifër është gati 3 herë më e lartë se sa investimet në bujqësi, arsim e shëndetsi të marra sëbashku në 2010-n dhe mbi 4 herë në 2011-n.

Kosto e borxhit përballë Deficitit dhe Investimeve si % e PBB-së dhe Kosto e borxhit si % e të Ardhurave Totale të Buxhetit


Burimi: Minstria e Financave
Të dhënat 1993-2010 janë shifrat faktike
Të dhënat për vitin 2011 janë parashikime të marra nga Buxheti i Konsoliduar për këtë vit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, kostoja e borxhit kanë qenë mesatarisht 4% në periudhën 1993-2011. Ajo ka arritur maksimumin në 1998-n me 8.7% të PBB-së dhe prej atij viti ka ardhur kryesisht në rënie për të shënuar minimumin në vitet 2006 e 2007 përkatësisht me 2.78% dhe 2.64%.

Duke filluar nga viti 2008 është shënuar rritje e pjesës së të Ardhurave Kombëtare që shkojnë për mbulimin e shpenzimeve të interesave dhe në 2011 ajo është 3.6%, më e lartë edhe se sa % e Deficitit ndaj PBB-së dhe më shumë se sa gjysma e përqindjes së PBB-së që zënë shpenzimet kapitale.

Në qoftë se do shqyrtohej marrëdhënia midis të Ardhurave Totale të Buxhetit të Shtetit dhe kostos së borxhit do të vihej re se 16% e të ardhurave shpenzohet për të paguaar interesat. Sërisht viti 1998 shfaqet si viti me përqindjen më të lartë të këtij treguesi.

Ndërkohë, pas një periudhe zbritëse 2003-2007, 2008-2011 kurba ka nisur të rritet. Në vitin 2010, 12.8% e të ardhurave buxhetore shërbenin për interesat dhe në 2011, përqindja rritet në 13.2.