Shumica e kredive gjatë 2011 u morën për pasuri të paluajtshme

Shqiptarët tashmë kanë gjetur kredinë si rrugën e vetme për tu bërë pronar banese ose toke. Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi kredidhënien e bankave ndaj individëve në Shqipëri gjatë viteve të fundit, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Lloji i kredisë sipas qëllimit është ndarë në kategoritë: pasuri të paluajtshme, mallra të qëndrueshme,

mallra jo të qëndrueshme, ushtrim aktiviteti dhe overdraft. Pasuria e paluajtshme përfaqëson kreditë për blerjen e banesave dhe tokave. Mallrat e qëndrueshme përfaqësojnë blerjen e mallrave afatgjatë si psh: autoveturat dhe mobiljet. Mallrat jo të qëndrueshme përfaqësojnë marrjen e kredive konsumatore, psh: kredi për pushime, apo shkollim. Ushtrimi i aktivitetit përfaqëson marrjen e kredisë për hapjen e bizneseve private. Ndërsa overdrafti është një kredi afatshkurtër mbi llogarinë rrjedhëse.

Nga të dhënat e vitit 2011, deri në fund të muajit janar, rezulton se kredidhënia bankare sipas qëllimit paraqitet si më poshtë; pjesa më e madhe e kredisë ndaj individëve është dhënë për blerjen e pasurive të paluajtshme pra 100.6 miliardë lekë, e ndjekur nga blerja e mallrave jo të qëndrueshme me 16.2 miliardë lekë, kredia për ushtrimin e aktivitetit me 11.6 miliardë lekë, blerja e mallrave të qëndrueshme me 7.7 miliardë lekë dhe overdrafti me 6.1 miliardë lekë. Në vitin 2011, në totalin e kredidhënies të sistemit bankar, pasuria e paluajtshme zë rreth 70.7%, blerja e mallrave jo të qëndrueshme rreth 11.4%, ushtrimi i aktivitetit 8.1%, mallrat e qëndrueshme 5.4% dhe overdrafti 4.3%. Gjatë viteve të fundit, vihet re një rritje e peshës së kredive për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të mallrave jo të qëndrueshme, dhe një ulje e peshë së kredive për ushtrim aktiviteti dhe blerjen e mallrave të qëndrueshme.

Kredia dhe interesat

Kredia është zgjedhja që ju vjen në ndihmë në formën e një sasie parash, por që duhet paguar zakonisht me këste mujore ose tremujore (ndodh të paguhet edhe në këste 6- mujore ose 1- vjeçare) për një periudhë kohe të caktuar pasi të jetë llogaritur një normë interesi. Një normë interesi është çmimi që një person paguan për përdorimin e parave që merr hua nga banka ose pagesa që merr një huadhënës për paratë e tij të dhëna hua. Ndryshe, norma e interesit njihet dhe si kostoja e të mbajturit të parasë. Zakonisht normat e interesit shprehen në përqindje për një afat njëvjeçar. Interesi i paraqitur nga bankat e nivelit të dytë për kreditë që ato japin, zakonisht paraqet normën nominale. Norma faktike e interesit në shumicën e rasteve është më e lartë se ajo e paraqitur nga bankat dhe llogaritet nëpërmjet një formule, e cila merr parasysh ndër të tjera, kohëzgjatjen e kredisë, numrin e pagesave për shlyerjen e saj, komisionet, sigurimet dhe shpenzime të ndryshme

Llojet e kredive

Bankat ofrojnë një larmishmëri kredish për të realizuar nevojat e individëve dhe të biznesit. Më të përhapura në vendin tonë janë kreditë e renditura më poshtë: Kredia konsumatore është një mjet financimi, e shpejtë dhe fleksibël që mbulon nevojat tuaja për: blerjet e pajisjeve elektronike, të mobilieve, të autoveturave personale. Kredia për shtëpi është një mundësi që ju lejon blerjen e një apartamenti të dëshiruar.

Bankat ofrojnë mundësi të shumta me kushte të ndryshme. Kredia personale është një mjet, që mund të përdoret për të plotësuar nevojat tuaja më të ngutshme si arsimim, udhëtim turistik, mjekim më i mirë, blerje kompjuteri etj. Kjo është një lloj kredie shumë e shpejtë që ju mund ta përfitoni lehtë. Kredi me kapital qarkullues është një lloj kredie që ofrohet në formën e një paradhënieje bankare ose llogarie me tepricë debitore (overdrafti), për të gjithë ata që kanë një llogari me bankën. Zakonisht është e përshtatshme për kompanitë ose për personat që kanë kërkesa të vazhdueshme për të qarkulluar para. Kredi për investime, është lloji i kredisë që ndihmon për financimin e blerjeve të mobilieve dhe pajisjeve për zyrë, për makineri ndërtimi, rinovim e zgjerim të mjediseve të biznesit. Kredia e biznesit është një mjet që ofron financime për investime afatshkurtra dhe afatmesme. Kjo kredi ju jep mundësi për zgjerimin e aktivitetit të biznesit.

Ju mund ta përdorni këtë kredi për të blerë makineri apo pajisje, për të rinovuar teknologjinë apo për çdo investim tjetër dhe rifinancim të kredive ekzistuese. Fleksi kredi nga llogaria rrjedhëse është një paradhënie bankare, e cila ju ndihmon të plotësoni nevojat tuaja financiare afatshkurtra. Kjo mundësi ofrohet për të gjithë personat që kanë një llogari në bankën që e jep këtë lloj kredie. Bankat ofrojnë dhe kredi për rikonstruksion banese.