Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) është një tregues i vlerës së tregut të të gjitha të mirave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një ekonomi. PBB përfshin gjithë prodhimet e shërbimet aktuale të destinuara për treg si dhe ato të prodhuara për konsum për vete nga të gjitha njësitë rezidente që veprojnë në territorin e një shteti.

Inflacioni është një tregues i ndryshimi të nivelit të përgjithshëm të çmimeve në një vend. Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi ndryshimin e PBB dhe inflacionit gjatë viteve të fundit në Kosovë, bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe FMN.

PBB-ja nominal në Kosovë ka ardhur në rritje, dhe vlera më e madhe është arritur në vitin 2010, ku sipas vlerësimeve të FMN ai rezulton 4.113 milionë euro, ose 6.3 për qind më i lartë se viti paraardhës. Por nga të dhënat, rezulton se rritja reale e ekonomisë kosovare gjatë vitit 2010 është 4.6 për qind, e për pasojë mund të arrihet në përfundimin se një pjesë e rritjes së PBB-së nominale ka ardhur nga rritja e çmimeve në vend.

Në vitin 2007 është arritur niveli më i lartë i inflacionit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit: 10.5 për qind. Ndërkohë në 2004, vendi është futur në deflacion, ku çmimet e shportës janë ulur me 3.7 për qind. Gjatë 2010, inflacioni vlerësohet të jetë 3.1 për qind, ndërkohë që në 2009 çmimet nuk u rritën thuajse fare.

Inflacioni duket një problem i rëndësishëm në Kosovë, duke qenë se luhatjet gjatë dhjetë vjetëve të fundit kanë qenë të mëdha. Mosqëndrueshmëria e inflacionit dëmton ekonominë, pasi nuk lejon ankorimin e pritshmërisë së njerëzve për nivelin e çmimeve, gjë që mund të çojë në vendime jo optimale të tyre për sa i përket kursimit dhe investimit. Përgjithësisht, një normë e qëndrueshme inflacioni, është e dëshirueshme, me qëllim rritjen graduale të ekonomisë.