TIRANE- Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës konsiderohet si një ndër projektet që ka shkaktuar dy problemet kryesore të financave publike, që janë borxhi i lartë publik dhe niveli i lartë i deficitit buxhetor.

“Open Data Albania”, një projekt i financuar nga SOROS-i, ka realizuar një analizë për këtë projekt, bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave. Sipas kësaj analize, rruga Durrës-Kukës ka kushtuar në total 90.7 miliardë lekë, shifër e investuar përgjatë viteve 2006-2010.

Për këtë periudhë, rruga e kombit ka thithur 50 për qind të totalit të investimeve të të gjitha rrugëve kombëtare.

“Në vitin 2008 projekti u financua nga fondet e huaja me 31.8 miliardë lekë, gjë që ndikoi edhe në rritjen e borxhit të jashtëm për atë vit në 39.7 miliardë. Ndërsa në vitin 2009 peshën e mbajti financimi i brendshëm, gjë që përkon me një rritje të borxhit të brendshëm për financimin e deficitit”,- theksohet në analizën e “Open Date Albania”.

Investimet për rrugën Durrës-Kukës kanë ardhur në rritje, duke kulmuar në vitin 2009 me 38.5 miliardë lekë.

Analiza evidenton se rruga e kombit është një ndër arsyet e nivelit të lartë të borxhit publik të vendit. Tregues që aktualisht është rreth 60 për qind i Produktit të Brendshëm Bruto, një nivel i konsideruar shumë i lartë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.