Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi normën e depozitave dhe kredive në Shqipëri bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për dhjetë vitet e fundit.

Norma e kredisë është një tregues i normës mesatare të kredive të dhëna nga bankat e nivelit të dytë për afate të ndryshme. Ndërkohë norma e depozitave është një tregues i normës mesatare të depozitave të vendosura në bankat e nivelit të dytë për afate të ndryshme.

Grafikisht norma e kredive dhe depozitave në dhjetëvjeçarin e fundit paraqitet si më poshtë:


Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA

Në janar të vitit 2011, norma mesatare e kredisë 1-3-vjeçare në lek ishte 17%, ndërkohë që norma mesatare e depozitës 1-vjeçare në lek ishte 6%. Kthimi bruto nga diferenca e normave të interesit për bankat e nivelit të dytë rezulton 11% për afatet 1-vjeçare. Kjo diferencë ka ndryshuar vazhdimisht gjatë këtij dhjetëvjeçari, duke arritur vlerën maksimale prej 17% në gusht të vitit 2004, dhe vlerën minimale prej 6% në korrik të vitit 2009.

Diferenca midis normës mesatare të kredive dhe depozitave në monedhën vendase përbën fitimin bruto të bankave të nivelit të dytë nga aktiviteti i zakonshëm. Duke supozuar një nivel të mjaftueshëm konkurrence, në kushtet kur ambjenti ekonomik është i pasigurtë kjo diferencë ka tendencën të rritet, dhe në kushtet e një ambjenti më të sigurtë diferenca zvogëlohet.

Ndërkohë, norma mesatare e kredive dhe depozitave në monedhën europiane ka ndryshuar si më poshtë:


Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA

Ne janar të vitit 2011, norma mesatare e kredisë 1-3-vjeçare në euro ishte 8%, ndërkohë që norma mesatare e depozitës 1-vjeçare në euro ishte 3%. Kthimi bruto nga diferenca e normave të interesit për bankat e nivelit të dytë rezulton 5% për afatet 1-vjeçare. Diferenca ka arritur vleren maksimale prej 12% në shkurt të vitit 2002, dhe vlerën minimale prej 1% në maj të vitit 2009.

Norma mesatare e kredive dhe depozitave në monedhën amerikane ka ndryshuar si më poshtë:


Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA

Ne janar të vitit 2011, norma mesatare e kredisë 1-3-vjeçare në usd ishte 7%, ndërkohë që norma mesatare e depozitës 1-vjeçare në usd ishte 2%. Kthimi bruto nga diferenca e normave të interesit për bankat e nivelit të dytë rezulton 5% për afatet 1-vjeçare. Diferenca ka arritur vleren maksimale prej 10% në qershor të vitit 2010, dhe vlerën minimale prej 0% në janar të vitit 2009.