Borxhi i Shqipërisë ndër vite ka financuar më shumë sektorin e transporteve, ndërsa në vend të dytë renditet energjetika dhe në vend të tretë demokratizmi dhe shteti i së drejtës. Të përkthyer në përqindje, përkatësisht këto fusha janë financuar me kredi koncensionare apo me grante në 31%, 14% dhe 13%. Të dhënat janë rezultat i hulumtimit të agjencisë Open Data Albania mbi ndihmën e huaj për Shqipërinë. Të dhënat kjo agjenci i ka bazuar në raportin “Ndihma e huaj në Shqipëri” për vitin 2008, i Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj të Këshillit të Ministrave. Duke iu referuar raportit të Open Data Albania, nisur nga viti 2000, vlera e ndihmës së huaj për Shqipërinë ka ndryshuar. Në Shqipëri gjatë vitit 2008 vlera e granteve dhe huave të dhëna nga donatorët ka qenë 240 milionë EURO. Krahasuar me vitin parardhës, vihet re një ulje e totalit të ndihmës së huaj, me rreth 24%.

Për periudhën 2000-2008, asistenca totale ka qenë rreth 2,858 milionë EURO, nga të cilat 61% kanë qenë grante, dhe 39% kredi. Donatorët kryesorë dypalësh janë: Republika e Italisë, Republika Federale Gjermane, qeveria japoneze dhe SHBA, ndërsa donatorët kryesorë shumëpalësh janë: Komisioni Europian dhe Banka Botërore. Duke iu referuar raportit të Open Albania, vitet ku borxhi ka financuar sektorët potencialë të Shqipërisë kanë qenë viti 2000 me 380 mln EURO, viti 2005 me 350 mln EURO dhe viti 2007 me 230 mln Euro. Duke iu referuar të njëjtit raport për financimin me borxh të veprave publike, sipas sektorëve prioritarë përgjatë viteve 2000-2008, vendin e parë e zë Energjetika me 650 mln euro, vendin e dytë demokratizimi dhe shteti i së drejtës me 510 mln euro dhe vendin e tretë, zhvillimi social me 420 euro.

Sektorët e tjerë në rend të nivelit të financimit janë uji, transporti, zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi territorial. Banka Botërore mendohet të jetë financuesi më i madh dhe i rëndësishëm i veprave publike shqiptare në këto vite. Duke iu referuar të njëjtit raport të Open Data Albania, ndihma e huaj sipas sektorëve të ekonomisë është përdorur në këtë mënyrë; në vitin 2000 është financuar më tepër për sektorin e ujit, në 2001 për demokratizimin dhe shtetin e së drejtës, në 2002 borxhi i jashtëm ka financuar më tepër energjetikën, në 2003 zhvillimin social, në 2004 sërish energjetikën, në 2005 demokratizimi dhe shteti i së drejtës, në 2006 energjetika, në 2007 energjetika dhe në 2008 sektori më i financuar nga borxhi i huaj ka qenë sektori i transporteve.

Ndërsa borxhi publik shqiptar është përafërsisht 60 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto, Shqipëria post krizës globale ekonomiko – financiare është fokusuar të financojë me borxh të jashtëm veprat publike, sipas sektorëve nga fondet arabe. Institucionet financiare arabe duket se janë të interesuara të huajnë veprat publike shqiptare, me interesat më të ulta të njohura ndonjëherë në historinë e koncensionarëve, por edhe duke falur vitet e para interesat.

Pra, ndërsa gjatë viteve 2000-2008 veprat shqiptare i huanin vendet e Europës Perëndimore, tanimë janë ofruar vendet arabe. Ndihma e huaj është përkufizuar si grante ose kredi, të cilat merren nga sektori zyrtar dhe kanë si objektiv kryesor promovimin e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies. Këto kredi janë me terma financiare koncensionare (nëse është kredi, duhet të ketë një element granti për të paktën 25%). Grant quhet një subvencion në formë monetare, i dhënë nga një donator (qeveri ose organizatë) për një përfitues që plotëson disa kritere të caktuara, dhe që nuk ka kusht kthimi. Kredi koncesionare janë kredi të cilat kanë norma të ulta interesi, ose kohë të gjatë shlyerje, dhe që kanë një element granti. Donatorë dypalësh, janë vendet e ndryshme të cilat japin grante ose hua me terma të buta. Donatorë shumëpalësh janë institucionet shumëpalëshe që japin hua dhe grante me terma të buta ose tregtare.