Projekti Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi numrin e përdoruesve të internetit në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU). Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, thekson Open Data, rezulton se raporti i numrit të përdoruesve të internetit në vendin tonë për 100 banorë ka ndryshuar në rritje.

Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, vihet re një rritje e theksuar e numrit të përdoruesve të internetit në Shqipëri. Gjatë vitit 2010, rreth 43.5 për qind e shqiptarëve (ose rreth 1.34 milionë persona) ishin përdorues të internetit, krahasuar me 41.2 për qind në 2009. Ndërkohë, në vendet e Bashkimit Evropian, në 100 banorë, 68 janë përdorues të internetit, ndërsa në vendet e gadishullit të Ballkanit, ky tregues është më i ulët (50 nga 100 banorë).

Numri i përdoruesve të internetit është një tregues shumë i rëndësishëm ekonomik dhe social për një vend, sepse pasqyron përhapjen e teknologjisë së informacionit në të, si dhe shkëmbimin e informacionit në rang global.