Një hulumtim i Open Data Albania ka konkluduar se në Shqipëri është i zhvilluar vetëm turizmi bregdetar, prandaj lind domosdoshmëria të zhvillohen të gjithë nëndegët e tjera të turizmit, me qëllim rritjen e të ardhurave nga kjo industri.

Duke iu referuar studimit në fjalë, ai citon se, “është e domosdoshme që Shqipëria të zhvillojë të gjitha llojet e turizmit, dhe jo vetëm atë bregdetar për të maksimizuar të ardhurat. Gjithashtu, duhet përmirësuar cilësia e shërbimit, pastërtia, rendi dhe gjithë faktorët e tjerë, të cilët jo vetëm të rrisin numrin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga kurioziteti, por edhe numrin e turistëve që e rivizitojnë atë pasi kanë kaluar eksperienca të këndshme”. Sipas statistikave që prezantohen në këtë studim, gjatë vitit 2010, numri i vizitorëve të huaj ishte 2.3 milion, krahasuar me 1.8 milion që ishte një vit më parë dhe kjo tregon një rritje me 29%, krahasuar me vitin 2009.

Po duke iu referuar studimit, gjatë viteve, me përjashtim të vitit 2009, muaji që ka fluksin më të madh të vizitorëve të huaj ka qenë muaji gusht, i cili përputhet edhe me periudhën e turizmit pranë plazheve të Shqipërisë. Ndërkohë në muajt e tjerë vihet re një numër shumë më i kufizuar vizitorësh. Kjo tregon që llojet e tjera të turizmit, përveç turizmit bregdetar janë tepër të pazhvilluara.

Përsa i përket të ardhurave, studimi tregon se, nga viti 2008, në vitin 2009, të ardhurat nga vizitorët janë rritur me 11%, ndërkohë që numri i vizitorëve të huaj është rritur me 34%. I njëjti trend vihet re edhe për periudhën 2007-2008: të ardhurat janë rritur me 17%, ndërsa numri i vizitorëve është rritur me 21%. Për sa i përket kapaciteteve të hoteleve, studimi citon se “gjatë 2010, numri i hoteleve në Shqipëri ishte 290, ose 19% më shumë se në vitin 2009. Numri i shtretërve në 2010 ishte 11,793, ose 8% më shumë se në vitin 2009. Bazuar në këto të dhëna, kapacitetet e hoteleve ne Shqipëri nuk janë adaptuar ndaj rritjes së fluksit të vizitorëve të huaj. Për këtë arsye mund të deduktohet se akomodimi i një pjese të vizitorëve është bërë pranë shtëpive private të individëve, në mënyrë të paregjistruar”.