Agjencia Open Data Albania në një studim që ka bërë për cilësinë e plazheve shqiptare, rezulton se plazhet më të ndotura në vend janë në Durrës, Kavajë, Vlorë e Sarandë. Ndërkohë, që me cilësi më të mirë paraqiten Borshi, Dhërmiu, Shëngjini, Velipoja e Himara.
Open Data, në studimin e saj thekson se rritja e banorëve në disa qendra urbane e ka bërë të pamundur procesin e vetpastrimit të detit, për shkak të sasisë së madhe të shkarkimeve urbane. Ndërkaq, përveç këtyre faktorëve, të cilët duhet të ishin nën menaxhimin dhe kontrollin e qeverive lokale, listës së gjatë i shtohen edhe plehrat e pafundme të lëna kudo përgjatë bregdetit, përfshi këtu edhe një ndër armiqtë kryesorë të gjallesave detare, qeset e plastmasit. “Por ndotjet e drejpërdrejta nga shkarkimet në det apo plehrat nuk janë të vetmet. 
Ndotja e lumenjve, sidomos nëpër zonat rurale, ku luginat e tyre jo rrallë janë vend-depozitimet e mbetjeve, janë një tjetër burim papastërtie. Edhe ndotja e ujërave nëntokësore jep ndikimin e saj në këtë vorbull të madhe. Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se plazhet shqiptare janë në rrezik të madh. Nëse disa prej tyre ende janë nën kufijtë e ndotjes, kjo nuk vjen për shkak të menaxhimit të kujdesshëm të tyre, por thjesht për inertësi dhe frenkuentim jo masiv”- citohet në studimin e Open Data Albania. Studimi në fjalë ka marrë përsipër të analizojë dy nga indikatorët më të rëndësishëm të cilësisë së ujrave detare, të cilët lidhen me mikroorganizma të ndotjes fekale që janë: koliformet fekale (Fecal Coliforms – FC) dhe enterokoku intestinal (Intestinal Enterococus – IE).
 Fokusi bie kryesisht mbi këta dy indikatorë, pasi derdhja e papërpunuar e ujërave të zeza në det është burimi më i madh i ndotjes si dhe vatër e sëmundjeve infektive. Duke iu referuar të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, studimi thekson se plazhet më të ndotura janë në Durrës, Kavajë, Vlorë e Sarandë. Ndërkohë që me cilësi më të mirë paraqiten Borshi, Dhërmiu, Shëngjini, Velipoja e Himara. Sipas studimit, të gjitha plazhet e monitoruara nga ISHP kanë një prezencë të FC – 50 mbi normën e lejuar prej 100. Shumë të ndotur paraqiten sidomos plazhet pranë Torres, Plepave dhe Ish kampit të pionerëve, rreth 10 herë mbi normën e lejuar. Në raportin e MMPAU-së, 2009, theksohet se nga 21 plazhet e vrojtuara në Durrës, 90% klasifikohen Cilësi e Dobët dhe 10% Cilësi e Mjaftueshme. Këto përfundime e rendisin Durrësin si vendin me plazhet më të ndotura në vend. 
Ndërkohë, të gjitha plazhet që i përkasin kategorisë Cilësi e Dobët kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, deri në mbyllje të tyre, pasi përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Ndotja në plazhet e qytetit të Durrësit është përkeqësuar shumë nga mungesa e kanalizimeve të ndërtimeve të reja, sidomos në zonën e Plazhit. Në të shumtën e rasteve, situata është zgjidhur me gropa septike. Mirëpo ndërtimi i tyre në zona ranore dhe jo sipas parametrave bën që këto ujëra të derdhen krejt të papërpunuara në det. Duke iu referuar studimit, plazhi i Kavajës ka rezultuar në 10% të stacioneve të monitoruara me Cilësi të Shkëlqyer, 50% me Cilësi të Mirë, ndërsa në 40% të tij, me Cilësi të Dobët, me domosdoshmëri për ndërhyrje të menjëhershme.
Plazhet më të ndotuara janë ai i Golemit dhe zona e Vaporit të mbytur, që janë gjithashtu edhe ndër plazhet më të populluara. Edhe plazhi i qytetit të Vlorës është shumë i ndotur. Sidomos zona e Shkollës së Marinës është jashtë çdo parametri të mundshëm dhe burim i jashtëzakonshëm infeksionesh. Në këtë zonë, prej jo më shumë se 800 metrash, mund të numërohen me sy të lirë të paktën 6 kanale të ujërave të zeza, që derdhen drejtpërsëdrejti në det. Ai është 15 herë më i ndotur se norma e megjithatë është mjaft i frekuentuar në stinën e verës. 
Situata nuk është më pak problematike në Plazhin e Ri, që është shpalluar edhe zona e plazhit publik nga Bashkia e Vlorës. Ai administrohet drejtpërsëdrejti nga kjo Bashki, e cila ka siguruar çadra falas, roje bregdetare apo facilitete të tjera. Por, ndërkohë në të derdhen 4 kanale të ujërave të zeza, të cilat janë lehtësisht të dallueshme, pasi e përshkojnë mes për mes plazhin.