Borxhi publik kap vlerën absolute më të madhe të këtij 10-vjeçari

Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer. Open Data Albania, ka kryer një hulumtim, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe FMN, lidhur me ecurinë e stokut të borxhit të shtetit shqiptar gjatë viteve. Të dhënat janë kumulative, pra stoku i borxhit të një viti përfshin totalin e borxhit të emetuar deri në atë vit.

 Në rastin e Shqipërisë, stoku i borxhit publik për 2010 ishte rreth 715.5 miliardë lekë ose 58.5% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Gjatë vitit 2010, për herë të parë bazuar në ligjin për “Huamarrjen e qeverisjes vendore”, disa bashki dhe komuna kanë marrë hua në tregun e brendshëm për financimin e projekteve në infrastrukturë. Borxhi i marrë nga pushteti lokal është rreth 147 milionë lekë, ose 0.02% të borxhit total publik.

Stoku total i borxhit gjatë viteve

Në fund të vitit 2010, rezulton se pesha e stokut të borxhit ka arritur në 58.5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB për 2010 bazohet në vlerësimet e FMN, në rreth 1,223.8 miliardë lekë). Treguesi i peshës së borxhit ndaj PBB ka një ulje të lehtë nga viti i mëparshëm, pra në 2009 pesha e borxhit ishte rreth 59.7% të PBB. Gjatë vitit 2010, stoku i borxhit ka arritur vlerën absolute më të madhe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Edhe pse nuk është i vetmi tregues, pesha e borxhit ndaj PBB është një ndër elementet kryesore që analizohet nga investitorët në tregjet financiare, dhe ndikon në normën e interesit dhe perceptimin e tregut për borxhin e një vendi.


Borxhi brenda dhe jashtë vendit

Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer. Borxhi publik mund të emetohet brenda vendit dhe mbahet nga rezidentë (borxhi i brendshëm), ose jashtë vendit dhe mbahet nga jorezidentë (borxh i jashtëm). Gjatë viteve pesha e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm ka rezultuar me një rritje e qartë e peshës së borxhit të jashtëm, kundrejt borxhit të brendshëm. Gjatë vitit 2010, u emetua për herë të parë eurobondi në tregun e huaj të kapitaleve, me shumën 300 milionë Euro, me maturim 04/11/2015. Pagesa e interesit vjetor për këtë obligacion është 7.5%, ose 22.5 milione Euro në vit. Të ardhurat nga eurobondi u përdorën për parapagimin e kredisë të vitit 2009, dhe për plotësimin e nevojave për financimin e buxhetit.

Bazuar në të dhënat, rezulton se borxhi i brendshëm nga viti 2008 është rritur me vetëm 1.8%, ndërsa borxhi i jashtëm është rritur me rreth 58%, duke demostruar qartë strategjinë e shtetit shqiptar për sigurimin e kapitaleve në tregjet e huaja. Përsa i përket mbajtësve të borxhit të brendshëm, borxhi mbahet kryesisht nga sistemi bankar. Mbajtësit kryesorë të borxhit të jashtëm janë institucionet shumëpalëshe (IBRD2, EIB3, etj.) dhe kreditorët privatë (banka të huaja). Gjatë dy viteve të fundit pesha e kreditorëve privatë ka ardhur në rritje nga 17.4% në 2008 në 27.4% në 2010. Edhe pse emetimi i eurobondit rrit diversifikimin e borxhit publik të Shqipërisë, duke qenë eurobond (i emetuar në një monedhë të ndryshme nga monedha vendase, dhe për shlyerjen e interesit dhe vetë borxhit kur të maturohet, është i domosdoshëm këmbimi në monedhën Euro), ai si dhe rritja e peshës së borxhit të jashtëm në përgjithësi, rrit rrezikun e kursit të këmbimit dhe koston e borxhit nëse Euro (apo monedhat e tjera) forcohen kundrejt monedhës vendase në lekë.

Borxhi afatgjatë, 465.4 miliardë lekë

Stoku i borxhit publik për 2010 ishte rreth 715.5 miliardë lekë ose 58.5% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Nga ky total, 250.1 miliardë janë borxh afatshkurtër (35%), dhe 465.4 miliardë janë borxh afatgjatë (65%). Gjatë viteve pesha e borxhit total afatshkurtër dhe afatgjatë (sipas maturimeve origjinale) ka rezultuar me një rritje të qartë të peshës së borxhit afatgjatë, kundrejt borxhit afatshkurtër. Kjo reflekton strategjinë Ministrisë së Financave për emetimin e instrumenteve afatgjatë të borxhit. Borxhi afatshkurtër përbëhet nga bonot e thesarit, ndërsa borxhi afatgjatë konsiston në pjesën më të madhe nga obligacione 2 dhe 5-vjeçare.

Në 2007 u emetuan për herë të parë edhe obligacionet 7-vjeçare. Borxhi i brendshëm është i thuajse i gjithi afatshkurtër dhe maturimi mesatar është rreth 0.8 vjet, që do të thotë se ai duhet të rifinancohet brenda një viti. Ndërkohë borxhi i jashtëm është shumë më afatgjatë, pasi në të përfshihen kredi të buta të marra deri në vitin 2005 (edhe pse pesha e këtyre kredive në totalin e borxhit të jashtëm ka ardhur në ulje), me një maturim mesatar prej 11 vjetësh. Eurobondi i emetuar gjatë 2010, ka një maturim prej 5 vjetësh. Mund të thuhet se nga njëra anë, rritja e borxhit afatgjatë ul nevojën e rifinancimit, por nga ana tjetër rrit kostot, pasi borxhi afatgjatë nënkupton pagesën e interesave më të larta se borxhi afatshkurtër për shkak të likuiditetit më të ulët.