Shëndetësi, raporti “Open Data Albania”: Shqipëria me të ardhurat më të ulëta në rajon

 Një raport i fundit i rendit shqiptarët me të ardhurat më të ulëta në rajon, për sa i takon sektorit të shëndetësisë. Shqiptarët shpenzojnë më shumë nga xhepi i tyre për kujdesin shëndetësor se sa fqinjët. Kroacia është vendi që shpenzon më shumë nga buxheti për shëndetësinë. Po ashtu edhe shpenzimet private të individëve janë më të ulëtat në rajon. Vitin e kaluar, në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë është referuar se buxheti i fundit, ai i vitit 2011, është më i mirë ndër vite, është shtuar vlera e rimbursimit të barnave, sidomos për medikamentet e pacientëve që trajtohen nga sëmundjet tumorale. Ndërkohë, edhe pse ndodhemi në muajin maj, në 6-mujorin e parë të këtij viti, ende nuk është miratuar lista e barnave me rimbursim për vitin 2011, por po punohet me atë të një viti më parë.
Raporti

ODA ka kryer një hulumtim mbi shumat që shpenzojnë vendet e rajonit nga buxheti i tyre për shëndetësinë, në raport me shpenzimet totale të buxhetit.

“Vendi që shpenzon më pak nga buxheti i tij për shëndetësinë është Shqipëria. Në vitet 2003-2006 pesha e buxhetit të alokuar për këtë sektor, ndaj buxhetit total përjetoi rritje, por 2007-a e gjeti Shqipërinë me një rënie 15% krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raportin e “Open Data Albania”. Sipas hulumtimit, vitet 2008 dhe 2009 vazhduan ta shkëpusin vendin tonë nga pjesa tjetër e rajonit, duke shpenzuar vetëm 8.4% të buxhetit për shëndetësinë, krahasuar me një minimum prej 10.2% që po shpenzonin fqinjët tanë. Mesatarja e këtij indikatori për vitet 2007-2009, tregon qartë prioritetin e secilit prej vendeve të rajonit për kujdesin shëndetësor.

“Shqipëria është vendi që në mënyrë të vazhdueshme ka shpenzuar më pak nga buxheti i saj për shëndetin. Ky fakt shoqërohet me shpenzime të larta të sektorit privat. Në kushtet kur shteti nuk paguan një shërbim, individi paguan drejtpërsëdrejti vetë për të”, thotë studimi i ODA-s. Sipas raportit të “Open Data Albania”, nëse studiohet pesha që zënë shpenzimet publike ndaj shpenzimeve totale për shëndetësinë, do të shikohet se Shqipëria është vendi ku shpenzimet publike zënë peshën më të vogël.
Buxheti

Agjentët financues, të cilët shpenzojnë për shëndetësinë në një vend, mund të jenë publikë ose privatë. Sektori publik, nëpërmjet institucioneve të tij, kryen shpenzime për investime, paga, mirëmbajtje, rimbursim ilaçesh. Ndërsa shpenzimet e sektorit privat janë pagesa direkte që bëjnë individët për të siguruar shërbimin shëndetësor.

Shpenzimet e sektorit publik për shëndetësinë llogariten si shuma e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe e fondeve të kontributeve shëndetësore. Sasia e financimit që alokon një shtet nga buxheti i tij për shëndetësinë është një tregues shumë i mirë i prioritetit që i jepet këtij sektori dhe akoma më tej i rëndësisë që merr jeta e një shtetasi në shifrat e buxhetit.