Ngjarja e ndodhur në Gërdec të Vorës, ka pasur një kosto të rëndë financiare për buxhetin e shtetit. Shpërthimet e ndodhura, i pari në ora 12:10 dhe i dyti në ora 12:29, me magnitudë ML = 2.5 të shkallës riter, preku zonat Gërdec, Marqinet, Gjokaj dhe qytetin e Vorës. Nga ngjarja humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën 400 të tjerë, nga të cilët, 300 të trajtuar në spitale, përkatësisht: 170 në Spitalin Ushtarak Tiranë; 63 të plagosur në QSUT; 44 të plagosur në spitalin e Durrësit; 3 të plagosur në spitalin e Krujës. Një numër prej 24 të plagosurish u dërguan për mjekim jashtë vendit, në Itali, Zvicër, Greqi dhe Turqi. Rreth 4 mijë persona u evakuuan ose u larguan me mundësitë e tyre, 10 mijë u prekën nga ngjarja.

Sipas Open Data Albania, në një studim për transparencën e fondeve publike, në buxhetin e shtetit (faktik) për vitin 2008 rezultojnë të shpenzuara në total 2 879 milionë lekë për ngjarjen dhe pasojat e tragjedisë së Gërdecit. Nga këto, 489 milionë lekë ose 0,4 miliardë ishin të ardhura nga donacionet në llogarinë e hapur nga qeveria, ndërsa shpenzime të bëra ishin 2390 milionë, apo 2.39 miliardë lekë. Buxheti i shtetit ka dhënë në total në vitin 2008, 52.000.000 lekë për familjet e 26 viktimave. Dhënie ndihme të menjëhershme financiare familjeve, shtëpitë e të cilave janë të pabanueshme, 50 000 lekë për person, por jo më shumë se 200.000 lekë për familje, me efekt total 113.000.000 lekë. Efekti total financiar është 54.527.200 lekë, i përballuar nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.