Papunësia ka shënuar një ulje të lehtë, me 0.4%, gjatë një viti dhe rezulton se, gjatë tremujorit të parë 2011, forca e punës në vend përbëhet nga 1.063.275 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 13.43%. Në shifrat e fundit të Institutit të Statistikave thuhet, se numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor, për tremujorin e tretë dhe të katërt të 2010-ës është 506.664. Ndërkohë, numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor është rritur me 4.27 % krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Sipas këtyre statistikave, numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të parë të 2010-ës është 142.836 vetë, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie, është vetëm 8.517 vetë. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3.467 lekë në muaj, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 4.693 lekë në muaj.

Paga minimale, me vendim të Këshillit të Ministrave, nr.566, datë 14.07.2010 “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, është 19.000 lekë/muaj. Niveli bazë i pagesës së papunësisë aktualisht është 6.565 lekë.

Në një studim historik të ndryshimeve të papunësisë dhe punësimit në territorin e Republikës së Shqipërisë, projekti ‘Open Data Albania‘ ka konstatuar, se viti me rënien më të madhe të të punësuarve ka qenë viti 2002, ku numri i tyre ka rënë me 154.000 veta. Ndërsa, viti me numrin më të madh të të punësuarve (zyrtarisht) është viti 1996, me 1.138.000 vetë.

Në fund të vitit 2010-të, kishte 916.919 persona të punësuar. Sipas sektorëve të punësimit, në vitin 2010 rreth 18.1% e të punësuarve punonin në sektorin shtetëror, 26.6% në sektorin privat jobujqësor dhe 55.3% në sektorin privat bujqësor.

Pesha e sektorit privat jobujqësor ka ardhur në rritje dhe kjo është shoqëruar me ulje të peshës së sektorit privat bujqësor, dhe sektorit shtetëror. Ajo që vihet re, është se në sektorin privat bujqësor punojnë më se 50 për qind e totalit të të punësuarve në Shqipëri, por ky sektor është pak produktiv, pasi siguron rreth 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ndërkohë që këtij sektori tepër të rëndësishëm për ekonominë e vendit, në shpenzimet e buxhetit për vitin e kaluar i ishin kushtuar vetëm 2.1 për qind të totalit të shpenzimeve.