Gjatë vitit 2011 rritja e kostos së borxhit pritet të kapë pikun. Kjo rritje gjatë viteve të fundit arrin 8 deri në 10 % të shpenzimeve të kryera nga Buxheti i Shtetit. Sipas portalit open.data.al rritja e ndjeshme vjen si pasojë e kredisë tregtare të marrë për financimin e projektit “Ndërtim i rrugës Rrëshen – Kalimash.”

Kostoja e borxhit është interesi që paguhet në marrjen e një huaje dhe kur të ardhurat janë të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet e kryera nga shteti, është mëse normale që një pjesë e financimeve të deficitit të vijë nga borxhi. Në varësi të llojit të borxhit bëhet edhe ndarja e interesave, në të brendshme ose të jashtme.

Shuma e interesave të paguara janë në varësi të stokut të borxhit si edhe të normës së interesit. Grafiku tregon se në vitin 1996 kosto e borxhit fillon të rritet me hapa të shpejtë, duke arritur 10 herë më e lartë krahasuar me vitin 1993. Viti 2001 dhe 2002 shënojnë nivelin më të ulët përsa i përket kostove gjatë viteve 2000, ndërkohë që prej vitit 2008 shuma e interesave të paguara zënë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve nga buxheti i shtetit.