Pedagogët shqiptarë janë ende të pakualifikuar, raporton Open Data.

“Nëse merret në shqyrtim treguesi i stafit pedagogjik, i cilësuar si një ndër më të rëndësishmit, do të vihet re se në tri degët e vlerësuara si ekonomi, drejtësi dhe infermieri, 40% e rasteve rezultojnë me staf pedagogjik të nivelit të ulët, 26.7% me nivel të lartë dhe 33.3% mesatar.

Pra, IAL-të pjesëmarrëse në renditje, në më të shumtën e rasteve nuk plotësojnë kriteret për staf pedagogjik të përgatitur ose të paktën në standard të pranueshëm”, – raporton ODA. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të ‘Open Data Albania’, referuar rezultateve të publikuara nga MASH në muajin korrik, për rezultatet e arritura në procesin e rankimit rezulton se, universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës apo “Aleksandër Moisiu” në Elbasan, në të gjitha degët ku ato kanë marrë pjesë në vlerësim, janë renditur në grupin e fundit. Nga ana tjetër, sqarohet se më mirë janë klasifikuar universitetet “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe “Eqrem Çabej”, Gjirokastër.

“Treguesi i dytë që ka shumë rëndësi në përzgjedhjen midis IAL-ve është treguesi i punësueshmërisë, pasi punësimi është edhe një ndër arsyet kryesore të ndjekjes së arsimit të lartë. Ky tregues ndërthur së pari perceptimin e të diplomuarit, se sa kurset dhe programet e zhvilluara do të ndikojnë në punësimin e tij dhe së dyti, perceptimin e punëdhënësit, pra se sa i përgatitur është një i diplomuar pranë një institucioni të lartë të caktuar, duke përfshirë këtu edhe aftësitë individuale të tij”, – thuhet në analizën e ODA-së. Sipas saj, në asnjë rast nuk janë pyetur studentët e diplomuar më parë mbi perceptimin që kishte tregu për ta, koha brenda të cilës ata u punësuan dhe akoma më tej, perceptimi i punëdhënësit është lënë tërësisht jashtë shqyrtimit, duke vënë në pikëpyetje rëndësinë e këtij indikatori. 
’Open Data Albania’ del në përfundimin se, kjo shpjegon pse në pjesën më të madhe treguesi i punësueshmërisë i përket grupit të mesëm, ndonëse qëllimi i çdo studenti është të diplomohet me perspektivën për të pasur mundësi për punësim.

“Në degën e ekonomikut, vetëm 3 universitete publike janë pozicionuar në grupin e poshtëm, 2 prej të cilëve janë universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe “Fan.S.Noli”, Korçë. Drejtësia dhe infermieria kanë vetëm nga një IAL në grupin e poshtëm, dhe universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë shfaqet edhe në këtë rast në degën e drejtësisë”, – raporton ODA.

Sipas kësaj shoqate, ajo që mund të thuhet në fund të procesit të renditjes, është që pavarësisht kritikave për metodologjinë e përdorur lidhur me mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin e tyre, IAL-të të cilat ishin pjesëmarrëse në proces duhet ta shfrytëzojnë këtë rast për të vendosur objektiva të qarta për përmirësimin e treguesve të tyre.