Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi prodhimin bujqësor në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit, dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Bazuar në të dhënat e 2010, sektori i bujqësisë ka kontribuar me rreth 18% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke e bërë atë një sektor kyç në zhvillimin e ekonomisë.

Gjatë viteve të fundit, prodhimi bujqësor i papërpunuar dhe agroindustrial  ka ndryshuar si më poshtë:

Vlera e prodhimi, është matur me çmimet e vitit 2006
Burimi: Ministria e Bujqësisë, Ushqimit, dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Analiza dhe Komentet: ODA

Në vitin 2009, prodhimi total nga bujqësia dhe agroindustria vlerësohet në 212,708 milionë lek, ku kontributi kryesor vjen nga sektori i bujqësisë së papërpunuar (74.8%) ndërkohë që agroindustria ka kontribuar vetëm me 25.2%. Gjatë vitit 2009, prodhimi total nga bujqësia u rrit me vetëm 1.8% krahasuar me vitin e mëparshëm, normë kjo më e ulët se mesatarja vjetore e viteve të fundit (3.3%). Niveli i ulët i rritjes së prodhimit bujqësor për 2009, mund të shpjegohet me përmbytjet e mëdha në veriun e vendit.

Pjesa më e madhe e prodhimit bujqësor të papërpunuar vjen nga blegtoria (55%), ndërkohë që 30% vjen nga bimët e arave, dhe 15% nga pemëtaria. Gjatë viteve të fundit, vihet re një rritje e peshës së pemëtarisë dhe ulje e peshës së prodhimit blegtoral.

Grafikisht pesha e kategorive në prodhimin bujqësor të papërpunuar paraqitet si më poshtë:

 

Vlera e prodhimi, është matur me çmimet e vitit 2006
Burimi: Ministria e Bujqësisë, Ushqimit, dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Analiza dhe Komentet: ODA

Sektori i bujqësisë në Shqipëri është aktualisht pjesa më e pazhvilluar e ekonomisë shqiptare dhe vuan nga fragmentarizimi i thellë i sipërfaqes së tokës së punueshme. Vetëm në vitin 2010, qeveria vendosi subvencionimin e fermerëve të cilët mbjellin ullinj, agrume, drufrutorë dhe vreshta. Kjo masë është e domosdoshme, pasi vetëm në këtë mënyrë bujqësia shqiptare mund të arrijë të konkurrojë me sektorin bujqësor të vendeve fqinjë.

Rritja e prodhimit bujqësor, jo vetëm që zhvillon ekonominë dhe ul papunsinë, por mundëson uljen e çmimeve të produkteve kryesore jetike që konsumohen nga popullata, si dhe ul varësinë e vendit nga importet.