Pensionet, të ndahen kontributet shoqërore nga ato shëndetësore

Sigurimet shëndetësore në Shqipëri kanë një normë të ulët, por sërish nuk paguhen nga shumica e qytetarëve. Një arsye e fortë që e shpjegon këtë është fakti se sigurimet shëndetësore paguhen bashkë me sigurimet shoqërore ose kontributin për pension, dhe duke qenë se norma e pensioneve është e lartë nuk paguhet as kontributi për shëndetin. Në të tilla kushte do të ishte mirë që këto dy lloje sigurimesh të paguheshin më vete.

Kontributi shëndetësor

Nisur nga faktorët e sipërpërmendur të ardhurat nga kontributet shëndetësore janë ende të ulëta. Problem mbetet edhe norma e ulët e sigurimit shëndetësor në vendin tonë çka ndikon në më pak të ardhura. Sipas një hulumtimi të bërë nga Open Data Albania rezulton se në vendin tonë jo vetëm që masa e kontributeve është e ulët, por këto kontribute as nuk paguhen rregullisht. Por sigurisht që situata ndër vite ka ardhur duke u përmirësuar. “Edhe pse deri në vitin 2005 rritja e kontributeve ka qenë në norma relativisht të mira, mesatarisht 15%, viti 2007 shënoi një përmirësim të dukshëm në rritjen e të ardhurave të ISKSH-së, rreth 24% krahasuar me vitin 2006. Ritmet rritëse vijuan edhe në vitet e tjera.  Në 2010-n, të ardhurat nga sigurimet shëndetësore ishin 4 herë më të larta se sa në vitin 2000 dhe 2 herë më të larta se sa në vitin 2005. Në përmirësimin e treguesve, faktorët kryesorë që ndikuan ishin ulja e informalitetit (puna në të zezë) dhe rritja e pagave. Megjithatë, pavarësisht shifrave në rritje, të ardhurat nga kontributet janë ende shumë të ulëta për të mundësuar një vetëfinancim të funksioneve të ISKSH-së,” argumenton ODA në hulumtimin e saj. Nga ana tjetër ODA vijon duke thënë se si problem kryesor është cilësuar në mënyrë të vazhdueshme norma e ulët e kontributit të sigurimeve shëndetësore, dhe duke qenë se ky është një vendim politik, pak gjasa ka që të vendoset për një ndryshim të saj për shkak të ndikimit të publik.

Pensionet

Një moment tjetër që rezulton shqetësues dhe problematik në skemën e sigurimeve është edhe pamundësia e derdhjes së sigurimeve shoqërore. Norma e kontributit të sigurimeve shoqërore është disa herë më e lartë se ajo e sigurimeve shëndetësore dhe ndërkohë, një individ nuk mund të zgjedh të paguajë njërën dhe jo tjetrën. Në këto kushte, duke u munduar të shmang pagesën e sigurimit shoqëror, ai shmang edhe pagesën e sigurimit shëndetësor, që është disa herë më e ulët se sa ajo e sigurimit shoqëror.

Korrupsioni

Sipas ODA-as elementi i tretë dhe jo pak i rëndësishëm që ndikon në të ardhurat e ISKSH-së lidhet me pagesat nën dorë dhe besimin e njerëzve kundrejt sistemit shëndetësor. Nëse shpenzimet shëndetësore janë të ngjashme për personat e siguruar dhe jo të siguruar për shkak të pagesave nën dorë, kjo do të thotë se skema e sigurimeve nuk i mbron pjesëmarrësit në skemë nga jo pjesëmarrësit. Në qoftë se këto pagesa do të mblidheshin në mënyrë institucionale dhe do të përdoreshin me efektivitet, do të ndihej menjëherë përmirësimi i cilësisë së shërbimit. Varfëria, mungesa e informacionit, informaliteti i ekonomisë, etj janë disa faktorë të tjerë që japin ndikimin e tyre në mbledhjen e ulët të kontributeve.

ISKSH

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) është një ndër institucionet më të rëndësishme të sistemit shëndetësor në vend. Ai u krijua në vitin 1995, pas vendimit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar një sistem financimi të shëndetësisë të mbështetur në kontribute dhe me një pagues të vetëm. Fillimisht, ISKSH-ja ofronte shërbimin e rimbursimit të një numri barnash, por ndërkohë ishte projektuar me idenë që hap pas hapi të ofronte gjithmonë e më shumë shërbime. Domosdoshmëria e ndërmarrjes së reformave në shërbimin shëndetësor ka qëndruar pezull si hije për qeveritë shqiptare dhe për gati 10 vjet shumë pak nisma konkrete u ndërmorën. Bazuar në Statutin e saj, ISKSH, siguron burime financimi nga: kontributet e të siguruarve, Buxheti i Shtetit, donacionet dhe të ardhurat e tjera. Duke qenë se të ardhurat nga kontributet e detyrueshme dhe vullnetare janë shumë të ulëta për përballimin e funksioneve që kryen ISKSH, ai financohet nga Buxhetit i Shtetit për plotësimin e këtij boshllëku.