Akset rrugore kombëtare, urbane dhe ato rurale, po bëhen gjithnjë e më
pak të sigurta nga viti në vit për përdoruesit e tyre. Ky është
konstatimi i studimit të kryer nga Open Data Albania (ODA), në lidhje me aksidentet e ndodhura në Shqipëri, që nga viti 1995 e në vazhdim. Sipas të dhënave të ODA-s, nga viti 1995, aksidentet rrugore nga viti në vit kanë ardhur duke shtuar numrin e të dëmtuarve të plagosur apo të vrarë. Studimi i ODA-s, përfshir një kërkim mbi numrin e aksidenteve rrugore në Shqipëri, si dhe numrin e të dëmtuarve nga këto aksidente dhe është bazuar në të dhënat e INSTAT. Nga viti 1995, sipas studimit numri i aksidenteve rrugore dhe të dëmtuarve ka ndryshuar në mënyrë progresive, ku vihet re se aksidentet janë shtuar e po kështu edhe numri i të vdekurve në vite.

Gjatë vitit 2010, në Shqipëri kanë ndodhur 1564 aksidente rrugore, prej të cilëve janë dëmtuar 2069 persona. Ngakjo kategori të aksidentuarish kanë mbetur të vdekur në vend ose pak kohë pas aksidentit 353 prej tyre. Pjesa tjetër kanë qenë të plagosur në aksidente.  Më tepër është rritur numri i të plagosurve, nga viti në vit, ndërsa numri i të vdekurve ka qenë në shifra të përafërta, që vërtiten rreth shifrës nga 350 deri tek ajo e 380 personave. Kështu sipas studimit të Open Data Albania, në vitin 1995, kanë ndodhur 399 aksidente nga të cilët, ka pasur 639 persona të dëmtuar dhe kanë vdekur 306 persona. Sipas statistikave kësaj organizate referuar INSTAT-it, shifra më e ulët e të aksidentuarve me pasojë vdekjen e tyre i përket vitit 2002, kur u shënuan 250 të vdekur, duke e ulur nurmin e kësaj kategorie poshtë rekordit të regjistruar në vitin 1996, që ishte me 257 të vdekur.

Po kështu edhe numri në total i të aksidentuarve të dëmtuar ishte në shifrën e 478 të dëmtuarve nga 328 aksidente të regjistruara në total në të gjithë vendin. Vitet që pasuan, qenë të përgjakshme për akset rrugore të vendit duke shkaktuar të vdekur dhe të plagosur në shifra të frikshme. “Edhe pse infrastruktura rrugore ka ardhur në përmirësim gjatë viteve, viti 2010 mbetet viti me numrin më të madh të aksidenteve dhe personave të lënduar në to. Sipas Hulumtimit statistikore te Open Data Albania ne vitin 2010 rezulton krahasuar me vitin 2009, numri i aksidenteve është rritur me 7 për qind, ndërsa numri i të lënduarve me 13 për qind. Në total, sipas kësaj statistike, janë 16 020 të dëmtuar, të palgosur apo të vrarë nga aksidentet në këto 16 vite, nga të cilët kanë mbetur të vdekur 4799 të vdekur të marra në studim nga Open Data Albania.

 

2069 persona kanë mbetur të dëmtuar si të plagosur apo të vrarë nga aksidentet rrugore në vend, gjatë vitit 2010 në Shqipëri.

 
353 persona, kanë mbetur të vdekur në Shqipëri, gjatë vitit të kaluar nga aksidentet rrugore sipas statistikave të ODA, referuar INSTATIT.

 
16020 persona, kanë mbetur të plagosur në në Shqipëri, nga aksidentet rrugore të ndodhura në akse të ndryshme rrugore në vend që nga viti 1995

 
4799 njerëz, kanë vdekur në Shqipëri nga aksidentet rrugore të ndodhura që prej vitit 1995, koha nga e cila referohen të dhënat e aksidenteve.