Me shpenzime kapitale kuptohen pagesat për sendet dhe shërbimet me afat përdorimi mbi një vit. Këtu futen pagesat për përfitimin e sendeve me afat të gjatë përdorimi, mjetet e kapitalit fiks, si dhe pagesat për zëvendësimin e mjeteve themelore të shkatërruara.

 

Grafiku jep një ide të qartë të përparësisë që kanë marrë investimet ndër vite. Rritja e tyre në mënyrë të vazhdueshme, kryesisht prej vitit 2005 është mundësuar falë një performance të lartë të të ardhurave nga sektori fiskal, të ardhurave nga privatizimi i disa objekteve të rëndësishme  si dhe mbështetjes nga financimi i huaj.  Vitet 2008 dhe 2009 shënojnë shifrat më të larta, të cilat në fakt përkojnë edhe financimin kryesor të  projektit”Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash”.

Struktura e financimit të Investimeve

Me strukturë të financimit të investimeve kuptohet origjina e burimit të parave që mbështesin realizimin e këtyre shpenzimeve. Ajo ndahen në dy kategori: financim i brendshëm dhe financim i huaj.

Vihet re se nuk ka një sjellje konstante kundrejt mënyrës së financimit. Megjithatë, prej vitit 2004 spikat një vlerë në rritje e financimit të brendshëm, e cila arrin kulmin në  vitin 2009. Në këtë vit, investimet me financim të brendshëm arritën në 81 miliard lekë, ku 40 miliardë lekë apo gati 50% e fondeve kanë shërbyer për financimin e projektit “Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash”. Ky fakt flet edhe për problemet që mund ti jenë krijuar biznesit për tu kredituar nëpërmjet kapitalit vendas, pasi një pjesë shumë e lartë e parave të shqiptarëve janë thithur nga borxhi shtetëror.

Financimi i huaj paraqitet gjithashtu me luhatje të konsiderueshme. Ai arrin kulmin në vitin 2008 me 43.6 miliardë lekë, 78.8% e të cilit ka shërbyer për financimin e projektit “Ndërtimi i rrugës Rreshen-Kalimash”. Mbështetja e projektit me kapital të huaj i ka dhënë frymëmarrjen e duhur kreditimit të biznesit nëpërmjet huamarrjes.