Open Data: Krahasuar me vitin 2000, numri i mjeteve rrugore është rritur me 126%

Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi numrin e mjeteve rrugore në Shqipëri, si dhe krahasimin me vendet e rajonit për këtë tregues. Të dhënat bazohen në statistikat e INSTAT, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, dhe Bankës Botërore. Në studimin e saj, ODA klasifikon si automjete: autoveturat, mikrobusët dhe kamionët e kamionçinat.

Ndërkohë klasifikimi i mjeteve rrugore, përveç automjeteve përfshin edhe traktorët rrugorë, motorçikletat dhe rimorkiot. Duke filluar nga viti 1998, numri i automjeteve për 1.000 banorë në Shqipëri ka ardhur në rritje. Studimi i ODA tregon se në Shqipëri gjatë 2010 ka patur 121 automjete për 1.000 banorë. E thënë ndryshe, rezulton se ka 294.729 autovetura, 7.032 mikrobusë dhe 83.413 kamiona dhe kamionçina. Totali i mjeteve të transportit rrugor (që përfshin edhe traktorët rrugorë, motorçikletat dhe rimorkiot) është 419.893 mjete. Krahasuar me vitin 2000, numri total i mjeteve rrugore është rritur me 126%. Historikisht, numri i automjeteve për 1.000 banorë ka ardhur vazhdimisht në rritje. Viti me rritjen më të madhe të këtij numri është viti 2000, me një rritje prej 20% krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa viti me rritjen më të ulët rezulton viti 2005, me një rritje prej vetëm 3% krahasuar me vitin paraardhës. Por krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria rezulton se ka një numër më të ulët automjetesh për 1.000 banorë. Serbia    numëron 227 automjete për 1.000 banorë; Maqedonia numëron 144 automjete për 1.000 banorë, Bosnja dhe Hercegovina 135 automjete, ndërsa Shqipëria numëron 121 automjete për 1.000 banorë. Me shtimin e madh të automjeteve në rrugët e Shqipërisë, shihet si domosdoshmëri përmirësimi i infrastrukturës, edukimi i qytetarëve dhe shoferëve për kodin rrugor, si dhe shtimi i masave për parandalimin e aksidenteve të cilat kanë qenë në rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit.

Aksidentet Rrugore në Shqipëri

Open Data Albania ka kryer një tjetër hulumtim, tashmë mbi numrin e aksidenteve rrugore në Shqipëri, si dhe numrin e të dëmtuarve nga këto aksidente, bazuar në të dhënat e INSTAT. Duke filluar nga viti 1995, ODA konkludon se numri i aksidenteve rrugore dhe të dëmtuarve ka ardhur në rritje nga viti në vit. Në Shqipëri, gjatë 2010 kanë ndodhur 1.564 aksidente rrugore, në të cilat janë dëmtuar 2.069 persona, nga të cilët kanë gjetur vdekjen 353 prej tyre. Shifrat tregojnë për një rritje të vazhdueshme të aksidenteve, kjo si pasojë e problemeve me sinjalistikën, mungesën e kujdesit të shoferëve dhe të këmbësorëve. Historikisht, viti me numrin më të ulët të aksidenteve rezulton viti 2002, ku ka pasur 328 aksidente rrugore. Edhe pse infrastruktura rrugore ka ardhur në përmirësim gjatë viteve, viti 2010 mbetet viti me numrin më të madh të aksidenteve dhe personave të lënduar në to.

Krahasuar me vitin 2009, numri i aksidenteve është rritur me 7%, ndërsa numri i të lënduarve me 13%. Bazuar në të dhënat e INSTAT, rezulton se gjatë 2010 janë shkaktuar rreth 39 aksidente për 10.000 mjete transporti rrugor. Por edhe ky 6 mujor i 2011, ka shënuar shifra të frikshme sa i përket aksidenteve. Shkaqet kryesore që çojnë në një numër të lartë të aksidenteve në vendin tonë, duket se janë mungesa e sinjalistikës rrugore, shkelja e rëndë e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve, mungesa e kulturës së qarkullimit rrugor nga qytetarët, rrugët e amortizuara etj.   

Numri i automjeteve për 1.000 banorë në rajon

Vendi?    Nr. Automjete/1000 banorë?

Serbia                227
Maqedonia         144
Bosnja dhe Hercegovina  135
Shqipëria            121