Maqedonasit rënditen të parët si “furnitorët” e tregut shqiptar të turizmit, më pas në renditje vijnë Kosova dhe Mali i Zi. Por një hapësirë të konsiderueshme zënë edhe turistët nga Serbia.
 Të dhënat janë publikuar nga saiti statistikor jo qeveritar Open Data. Sipas llogaritjeve që i përkasin periudhës janar-qershor 2010, mësohet se mbi 110 mijë persona kanë vizituar vendin nga pikat kufitare të Maqedonisë. Rreth 100 mijë persona kanë hyrë për turizëm nga pikat kufitare të Kosovës. Më pas në vend të tretë, sipas Open Data, vjen Mali i Zi me më shumë se 70 mijë hyrje turistësh.
 Më pas në renditje vijnë Greqia dhe Italia, prej të cilave hyjnë për qëllime turizmi emigrantët shqiptarë që jetojnë në këto vende. Po një vend të rëndësishëm po zënë edhe turistët nga Serbia, të cilët, sipas Open Data, për 6 muaj kanë shënuar mbi 20 mijë hyrje. Gjatë 2010-s, numri i hoteleve në Shqipëri ishte 290, ose 19 për qind më shumë se në vitin 2009. Numri i shtretërve më 2010-n ishte 11 793, ose 8 për qind më shumë se në vitin 2009. Bazuar në këto të dhëna, kapacitetet e hoteleve në Shqipëri nuk janë adaptuar ndaj rritjes së fluksit të vizitorëve të huaj. 
Për këtë arsye mund të deduktohet se akomodimi i një pjese të vizitorëve është bërë pranë shtëpive private të individëve, në mënyrë të paregjistruar. Sipas Open Data Albania, është e domosdoshme që Shqipëria të zhvillojë të gjitha llojet e turizmit, dhe jo vetëm atë bregdetar, për të maksimizuar të ardhurat. 
Gjithashtu duhet përmirësuar cilësia e shërbimit, pastërtia, rendi dhe gjithë faktorët e tjerë, të cilët jo vetëm të rrisin numrin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga kurioziteti, por edhe numrin e turistëve që e rivizitojnë atë.