Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer. Sa më e madhe të jetë pesha e këtij borxhi ndaj Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), aq më e madhe është edhe pesha e interesit të paguar në vit ndaj PBB.

Në rastin e Shqipërisë, stoku i borxhit publik për 2009 ishte rreth 680 miliardë lekë ose 59.5% e PBB-së. Rreth 61% e këtij borxhi përfaqsohet nga borxhi i brendshëm, ndërsa pjesa tjetër nga borxhi i jashtëm.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria paraqitet si më poshtë:


*Vlerësime të FMN
Burimi: FMN
Komentet dhe Analiza: ODA

Sikurse mund të shikohet edhe nga grafiku, Shqipëria ka stokun e borxhit më të lartë në rajon pas Greqisë (115.2%). Ndërkohë pas Shqipërisë (59.9%) renditen: Turqia (45.5%), Mali i Zi (38.25%), Serbia (35.6%), Kroacia (35.41%), Bosnja dhe Hercegovina (35.37%) dhe Maqedonia (23.48%).

Duke bërë një analizë kohore, vihet re se vendi me uljen më drastike të borxhit publik gjatë dhjetëvjecarit të fundit është Serbia, ndërsa vendi me rritjen më të madhe është Greqia. Në rastin e Shqipërisë, stoku i borxhit ndaj GDP-së ka qënë thuajse konstant, por duke patur parasysh rritjen vjetore të PBB-së gjatë këtij dhjetëvjecari, atëhere mund të thuhet se edhe borxhi është rritur thuajse me të njëjtën normë.

Edhe pse nuk është i vetmi tregues, pesha e borxhit ndaj PBB-së është një ndër elementet kryesore që analizohet nga investitorët në tregjet financiare, dhe ndikon në normën e interesit dhe perceptimin e tregut për borxhin e një vendi.