Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer. Open Data Albania, ka kryer një hulumtim, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe FMN, lidhur me ecurinë e stokut të borxhit të shtetit shqiptar gjatë viteve. Të dhënat janë kumulative, pra stoku i borxhit të një viti përfshin totalin e borxhit të emetuar deri në atë vit.
 
Në rastin e Shqipërisë, stoku i borxhit publik për 2010 ishte rreth 715.5 miliardë lekë ose 58.5% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Gjatë vitit 2010, për herë të parë bazuar në ligjin për “Huamarrjen e qeverisjes vendore”, disa bashki dhe komuna kanë marrë hua në tregun e brendshëm për financimin e projekteve në infrastrukturë.
 
Borxhi i marrë nga pushteti lokal është rreth 147 milionë lek, ose 0.02% të borxhit total publik.
 
Në fund të vitit 2010, rezulton se pesha e stokut të borxhit ka arritur në 58.5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB për 2010 bazohet në vlerësimet e FMN, në rreth 1,223.8 miliardë lek). Treguesi i peshës së borxhit ndaj PBB-së ka një ulje të lehtë nga viti i mëparshëm (në 2009 pesha e borxhit ishte rreth 59.7% të PBB-së). 
 
Gjatë vitit 2010, stoku i borxhit ka arritur vlerën absolute më të madhe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Edhe pse nuk është i vetmi tregues, pesha e borxhit ndaj PBB-së është një ndër elementet kryesore që analizohet nga investitorët në tregjet financiare, dhe ndikon në normën e interesit dhe perceptimin e tregut për borxhin e një vendi.