Me 126 % është rritur numri i automjeteve në Shqipëri në vitin 2010, krahasuar me vitin 2000, pra me 10 vjet më parë. Por krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka një numër më të ulët automjetesh për 1,000 banorë. Të dhënat i ka bërë publike faqja open.data.al, pas një studimi krahasimor për qarkullimin e makinave në vend, krahasuar me rajonin. Duke iu referuar studimit në fjalë, rezulton se në Shqipëri gjatë 2010 ka pasur 121 automjete për 1,000 banorë.

E thënë ndryshe, rezulton se ka 294,729 autovetura, 7,032 mikrobuzë dhe 83,413 kamiona dhe kamionçina. Totali i mjeteve të transportit rrugor (që përfshin edhe traktorët rrugorë, motorçikletat dhe rimorkiot) është 419,893 mjete. Studimi citon se, historikisht, numri i automjeteve për 1,000 banorë ka ardhur vazhdimisht në rritje.

Ndërkaq, viti me rritjen më të madhe të këtij numri është viti 2000 (20% krahasuar me vitin paraardhës), ndërsa viti me rritjen më të ulët rezulton viti 2005 (3% krahasuar me vitin paraardhës). Duke iu referuar po këtij studimi rezulton se Serbia ka 227 automjete për 1000 banorë, Maqedonia 144 automjete për 1000 banorë, Bosnja dhe Hercegovina 135 dhe Shqipëria 121 automjete për 1000 banorë.

Studimi citon gjithashtu se me shtimin e madh të automjeteve në rrugët e Shqipërisë, është i domosdoshëm përmirësimi i infrastrukturës, edukimi i qytetarëve dhe shoferëve për kodin rrugor, dhe shtimi i masave për parandalimin e aksidenteve të cilat kanë qenë në rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit.