Maqedonasit renditen të parët si furnitorët e tregut shqiptar të turizmit. Kosova dhe Mali i Zi në vend të dytë dhe të tretë. Rritet numri i turistëve nga Serbia. Ja të gjitha tendencat e gjeografisë së turizmit.
Të paktën për pesë vitet e fundit, maqedonasit renditen të parët si furnitorët e tregut shqiptar të turizmit. Më pas në renditje vijnë Kosova dhe Mali i Zi. Por një hapësirë të konsiderueshme zënë edhe turistët nga Serbia, dhe vendet ku kanë emigruar shqiptarët, si Greqia, Italia, Britania e Madhe etj. Të dhënat janë publikuar nga saiti statistikor jo qeveritar Open Data. Sipas kalkulimeve që i përkasin periudhës janar-qershor 2010, mësohet se mbi 110 mijë persona kanë vizituar vendin nga pikat kufitare të Maqedonisë. Rreth 100 mijë persona kanë hyrë për turizëm nga pikat kufitare të Kosovës. Më pas në vend të tretë, sipas Open Data, vjen Mali i Zi me më shumë se 70 mijë hyrje turistësh. Më pas në renditje vijnë Greqia dhe Italia, prej të cilave hyjnë për qëllime turizmi emigrantët shqiptarë që jetojnë në këto vende. Po një vend të rëndësishëm po zënë edhe turistët nga Serbia, të cilët, sipas Open Data, për 6 muaj kanë shënuar mbi 20 mijë hyrje. Treguesit më të rëndësishëm të turizmit janë numri i turistëve të huaj dhe të ardhurat e siguruara nga turizmi. Gjithashtu, për të krahasuar zhvillimin e turizmit në një vend është e nevojshme llogaritja e kapaciteteve turistike të një vendi. 
Gjatë vitit të kaluar numri i vizitorëve të huaj ishte 2.3 milionë, krahasuar me 1.8 milionë që ishte një vit më parë. Kjo tregon një rritje me 29 për qind krahasuar me vitin 2009. Gjatë viteve, me përjashtim të vitit 2009, muaji që ka fluksin më të madh të vizitorëve të huaj ka qenë muaji gusht, i cili përputhet edhe me periudhën e turizmit pranë plazheve të Shqipërisë. Ndërkohë në muajt e tjerë vihet re një numër shumë më i kufizuar vizitorësh. Kjo tregon që llojet e tjera të turizmit, përveç turizmit bregdetar, janë tepër të pazhvilluara, shkruan Open Data Albania. 
Sikurse shikohet edhe nga të dhënat, nga viti 2008 në vitin 2009 të ardhurat nga vizitorët janë rritur me 11 për qind, ndërkohë që numri i vizitorëve të huaj është rritur me 34 për qind. I njëjti trend vihet re edhe për periudhën 2007-2008, të ardhurat janë rritur me 17 për qind, ndërsa numri i vizitorëve është rritur me 21 për qind. Pra, edhe pse numri i vizitorëve të huaj është një tregues i rëndësishëm i zhvillimit të turizmit në një vend, është e domosdoshme që të analizohet edhe rritja e të ardhurave nga ky aktivitet. Gjatë 2010-s, numri i hoteleve në Shqipëri ishte 290, ose 19 për qind më shumë se në vitin 2009. Numri i shtretërve më 2010-n ishte 11 793, ose 8 për qind më shumë se në vitin 2009. 
Bazuar në këto të dhëna, kapacitetet e hoteleve në Shqipëri nuk janë adaptuar ndaj rritjes së fluksit të vizitorëve të huaj. Për këtë arsye mund të deduktohet se akomodimi i një pjese të vizitorëve është bërë pranë shtëpive private të individëve, në mënyrë të paregjistruar. Sipas Open Data Albania, është e domosdoshme që Shqipëria të zhvillojë të gjitha llojet e turizmit, dhe jo vetëm atë bregdetar, për të maksimizuar të ardhurat. Gjithashtu duhet përmirësuar cilësia e shërbimit, pastërtia, rendi dhe gjithë faktorët e tjerë, të cilët jo vetëm të rrisin numrin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga kurioziteti, por edhe numrin e turistëve që e rivizitojnë atë pasi kanë kaluar eksperienca të këndshme.