Në Shqipëri numri i mjekëve për banorë ka ardhur në rënie me kalimin e viteve.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërorë dhe OBSH-së, që iu referohet Open Data Albania në analizën e saj, në vendin tonë ka 1,15 mjekë për 1 mijë banorë në vitin 2007, krahasuar me 1.39 në vitin 2000, pra 17.5 % më pak. Nëse kjo shifër krahasohet me vendet e rajonit, rezulton se ky tregues është 2.5 për 1 mijë banorë në Maqedoni, 2 në Serbi, 6 mjekë për 1000 banorë në Greqi. Ndërkohë në Shqipëri rezultojnë 4 infermiere për 1000 banorë.

Numri i shtretërve spitalorë është një tregues i kapacitetit të institucioneve shëndetësore të një vendi, sidomos në situata emergjencash. Në 2007, rezultojnë vetëm 2.92 shtretër spitalorë për 1000 banorë. Krahasuar me vitin 2000 kjo shifër është ulur me 11%. Edhe ky tregues nëse krahasohet me vendet e rajonit është më i ulët. Në Maqedoni numri i shtretërve për 1,000 banorë është 4.6, në Serbi 5.4 dhe në Greqi 4.8.

Por pritshmëria nga ana tjetër është pozitive. Kjo pasi me rritjen e numrit të spitaleve private në Shqipëri, pritet një rritje e treguesve të mësipërm, si dhe një rritje e cilësisë së shërbimit shëndetësor në përgjithësi