Lista zyrtare e programeve të studimit që mund të lëshojnë diploma “Bachelor” apo master të vlefshme. Të rinjtë, veçanërisht maturantët, duhet të tregohen të kujdesshëm në përzgjedhjen e universiteteve private ku duan të vijojnë studimet e larta, nëse për arsye të ndryshme nuk përfshihen në sistemin publik. Gjatë viteve të fundit është shtuar ndjeshëm numri i universiteteve private në tregun e arsimit të lartë, ku numërohen rreh 38 të tilla, të cilat ofrojnë studime në rreth 322 programe.

Një pjesë e tyre janë licencuar, akredituar, janë në proces akreditimi ose me kusht, ose nuk kanë fituar asnjë nga këto. Sipas një studimi të bërë nga “Open Data Albania”, vetëm 25 për qind e programeve të universiteteve private në vendin tonë janë akredituara. Në vijim të procesit janë 20 programe, ndërkohë që pjesa më e madhe janë ende të paakredituara.

“Akreditimi i universiteteve private merr një rëndësi të veçantë për publikun, pasi janë institucione të reja dhe jo shumë të konsoliduara. Ndërsa për arsimin publik është krijuar një traditë dhe një opinion i fituar ndër vite, informacioni i vetëm për të gjykuar mbi morinë e universiteteve private në qarkullim, aktualisht mbetet akreditimi, i cili supozon plotësimin e standardeve,” argumenton “Open Data Albania” në kërkimin e saj. Kjo do të thotë se në rast të mos pasjes së akreditimit ky universitet privat lëshon diploma të pavlefshme.

Për këtë Ministria e Arsimit ka bërë publike listën zyrtare, ku gjenden të renditura të gjitha programet e studimit që ofrohen në universitet private që gëzojnë akreditimin apo licencimin. Sipas tabelës bashkangjitur shkrimit, shihet prezenca e institucioneve të palicencuara dhe të paakredituara. Kjo u referohet programeve “Bachelor” apo “Master” që nuk kanë marrë akoma miratimin as nga Këshilli i Ministrave për fillimin e punës. Nëse një student është pjesëmarrës i një programi ende të paakredituar, ai ose është i sigurt se institucioni do ta fitojë akreditimin, ose nuk ka informacion mbi riskun që po përballet, sepse, nëse programi nuk akreditohet, ai do të gjendet në dorë me një diplomë të pavlefshme.

Akreditimi është procesi nëpërmjet të cilit realizohet certifikimi i besueshmërisë, autoritetit, mundësisë dhe aftësisë. Në arsimin e lartë akreditimi është një proces sigurimi cilësie gjatë të cilit një organizëm i jashtëm vlerëson përputhjen e shërbimit dhe aktivitetit të universitetit apo programeve të tij me standardet. Përveç sistemit të jashtëm të cilësisë, funksionon edhe sistemi i brendshëm i cilësisë. Vetë universitetet janë përgjegjëse për të dhe ngrenë njësinë përkatëse për sigurimin e brendshëm të cilësisë, e cila vlerëson periodikisht efikasitetin e veprimtarive mësimore, kërkimore, administrative, financiare, etj, të institucionit.

 Vendimi pas vlerësimit të jashtëm të cilësisë mund të jetë pozitiv, me kusht ose negativ. Nëse universiteti apo programi merr vlerësim negativ, atëherë ky institucion ose program nuk njihet zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë, për rrjedhojë diploma që studentët fitojnë nuk është e vlefshme.