Auditoret e universiteteve shqiptare janë ‘pushtuar’ nga femrat. Sipas një studimi analitik të zhvilluar nga “Open Data Albania“, numri i femrave që ndjekin shkollën e lartë ka ardhur në rritje dhe për vitin akademik 2009-2010 kishte 12 mijë femra më shumë të ulur në auditorë se sa meshkuj. Për të arritur në këtë përfundim “Open Data Albania” ka studiuar freku-encën e pranimeve sipas seksit që nga viti 1994. “Në vitin 1994, struktura ishte pothuajse 50% me 50%. Femra në auditorë ishin afërsisht vetëm 1500 më shumë se sa meshkuj, por me kalimin e viteve situata ndryshon ndjeshëm. Deri në vitin 2003, numri i femrave u rrit me 82% kundrejt 1994, ndërsa ai i meshkujve me 22%.

Në këtë vit, raporti femra-meshkuj ndryshoi në 62% me 38%, ndërsa në vlera absolute, ishin 10.760 më shumë femra. Viti 2003-2004 shënoi një kthesë të rëndësishme. Përveç masivizimit të universiteteve, viti 2003 përmbys edhe raportet e ritmit të rritjes së studentëve midis meshkujve dhe femrave. Kështu, në vitin 2003-2004 ritmi i rritjes së meshkujve të regjistruar ishte 23%, ndërsa i femrave 20%. Diferenca thellohet në dy vitet pasuese: 24% me 16% dhe 22% me 13%. Megjithatë, edhe me këto ndryshime të fundit, femrat vazhdojnë të mbizotërojnë nëpër auditorë. Në vitin 2009-2010, ishin gati 12.000 më shumë femra që vazhdonin studimet e larta”, – thuhet në raportin e Open Data.