Buxheti është plani financiar i gjithë të ardhurave dhe shpenzimeve që mendohen të realizohen brenda një periudhe një vjecare. Ai është busulla e orientimit për cdo njësi përgjegjëse për kryerjen e shpenzimeve apo mbledhjen e të ardhurave, si dhe shërben për të organizuar punën e cdo institucioni në përmbushjen e objektivave të vendosura në të. Duke qënë plan, Buxheti bazohet në parashikime gjatë përpilimit të tij, për rrjedhojë, rrallë Buxheti Faktik përputhet totalisht me Buxhetin Fillestar. Megjithatë, një parashikim i mirë e i kujdesshëm dhe mbi të gjitha real e optimist brenda kufijve, mundëson varianca shumë të vogla.

Viti 2009 është karakterizuar nga dy korrigjime të Buxhetit Fillestar: Buxeti i Rishikuar dhe Akti Normativ. Diferenca kryesore lindi që në parashikimin e rritjes ekonomike, e cila u cilësua shumë optimiste në kushtet e përhapjes së krizës botërore. Kështu, PBB-ja nga 1.180.000 milionë lekë në Buxhetin Fillestar, u vlerësua të arrij në 1.176.349 milionë lekë në Buxhetin e Rishikuar (BR). Bazuar në ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskal për periudhën janar-korrik, në planin e rishikuar makroekonomik dhe të ardhurave nga privatizimi, u bë edhe rishikimi i treguesve të tabelës fiskale të Buxhetit të Konsoliduar.

Të ardhurat janë korrigjuar vazhdimisht duke u zvogëluar. Në Buxhetin e Rishikuar ato ranë me 2.6% dhe në Aktin Normativ (AN) edhe me 2% të tjera. Megjithatë prapë parashikimi ka lënë për të dëshiruar pasi realizimi faktik ka qënë në masën 6.7% më i ulët se sa AN dhe akoma më tej 89% i parashikimit fillestar.

Në një kohë që të ardhurat uleshin, shpenzimet kanë ndjekur trendin e kundërt. Në Buxhetin e Rishikuar dhe Aktin Normativ, ato u rritën me 12 miliardë lekë, apo 4.18%, dyfishi i uljes së normës së të ardhurave. Kjo shpjegohet pasi një pjesë e të ardhurave nga privatizimi u përdorën për rritjen e kufirit të investimeve. Megjithatë, pavarësisht parashikimeve optimiste, shpenzimet faktike rezultuan me të ulta edhe se sa plani fillestar. Ato ishin 5.4% më të ulta se sa AN-ja dhe 98.7% i Buxhetit Fillestar.

Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe përpunimi: Open Data Albania