Pagesa për papunësinë, ndihma ekonomike dhe kompensimi për ish-të përndjekurit politikë janë zëra të tabelës fiskale të Buxhetit të Konsoliduar, nën kategorinë e Shpenzimeve të tjera. Ato kanë një peshë të vogël kundrejt totalit të shpenzimeve, rreth 4%-5%, por për shkak të shtresave të popullsisë që përfitojnë prej tyre, ndjeshmëria është e lartë.

Në grafikun në vijim jepet varianca e treguesve në Buxhetin fillestar, të rishikuarin, të ndryshuarin me Aktin Normativ dhe së fundi, realizimi faktik.

Pagesat për papunësinë kanë pasur një tendencë në rënie në të gjithë rregullimet e bëra në Buxhet, për të arritur në një tkurrje prej 13% deri në fund të vitit.  Kjo ka ndodhur në një kohë kur papunësia për vitin 2009 është rritur me rreth 14.000 veta që nga 2008-a. Megjithatë, pavarësisht kësaj rritjeje, numri i personave që përfitonin pagesë papunësie u ul nga 9369, në 9010.

Zëri i dytë, Ndihma ekonomike, deri në fund të 2009-s rezultoi 15.7% më i lartë se sa parashikimi në Buxhetin fillestar. Ky tregues u rrit lehtësisht me Aktin Normativ dhe u finalizua me 3 miliardë lekë më shumë deri në fund të dhjetorit.

Kompensimi për ish-të përndjekurit politikë ka pasur një variancë më të lartë se sa dy teguesit e tjerë dhe jo shumë të qartë. Shuma e parashikuar për ta është rritur në Buxhetin e rishikuar me 58.5% ose 1.17 miliardë lekë. Gjatë Aktit Normativ (AN) u ruajt i njëjti nivel shpenzimesh, por në Buxhetin Faktik ky zë rezulton me një rënie prej 30% kundrejt AN-së, por megjithatë, 10% më i lartë se sa parashikimi fillestar.

Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe përpunimi: Open Data Albania