Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi raportin e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit kundrejt primeve të paguara sipas kategorisë së sigurimit. Raporti bazohet në të dhënat e AMF (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare).

Tregu i sigurimeve është një pjesë tepër e rëndësishme e sistemit financiar. Në të përfshihen shoqëritë private dhe shtetërore të cilat realizojnë procesin e sigurimit të individëve apo bizneseve. Për të përfituar nga ky shërbim individët dhe bizneset paguajnë prime sigurimi për t’u mbrojtur nga një ngjarje specifike, dhe në rast të ndodhjes së ngjarjes, përfitojnë një shumë të caktuar që në fillim nga kontrata me shoqërinë e sigurimit.

Sigurimi i jetës, i ofrohet individëve dhe në rast të vdekjes së tyre një individ tjetër i përcaktuar nga i siguruari përfiton një shumë sipas kontratës.

Sigurimi i jo-jetës përfshin gjithë shërbimet e sigurimit të cilat nuk përfshihen në sigurimin e jetës (si sigurimi i pasurive të paluajtshme, sigurimi i shëndetit, i automjeteve etj).

Gjatë 5 viteve të fundit, raporti i dëmeve të paguara kundrejt primeve të përfituara nga shoqëritë e sigurimeve ka ndryshuar sipas grafikut:

 

Burimi: AMF
Komentet dhe Analiza: ODA

Në 2010, në tregun e sigurimit të jo-jetës, raporti i dëmeve të paguara kundrejt primeve të përfituara nga shoqëritë e sigurimeve ka qënë 30%. Kjo është llogaritur si raport i dëmeve të paguara (2.2 miliardë lek) kundrejt primeve të përfituara (7.3 miliardë lek) gjatë vitit 2010. Këtu duhet theksuar se dëmet e paguara i përkasin vitit 2010, por kontratat e sigurimit mund të jenë lidhur më parë, e për pasojë primet e paguara lidhur me këto kontrata mund t’i përkasin viteve të mëparshme.

Ndërkohë në tregun e sigurimit të jetës, raporti i dëmeve të paguara kundrejt primeve të përfituara nga shoqëritë e sigurimeve ka qënë më i ulët (rreth 8%). Kjo është llogaritur si raport i dëmeve të paguara (72 milionë lek) kundrejt primeve të përfituara (848 milionë lek) gjatë vitit 2010. Edhe në këtë rast primet e paguara lidhur me këto kontrata mund t’i përkasin viteve të mëparshme.

Gjatë viteve niveli më i lartë i raportit dëme/prime është arritur në 2006 (32%) në kategorinë e sigurimit të jo-jetës, dhe në 2009 (11%) në kategorinë e sigurimit të jetës.

Përsa i përket sigurimeve sipas klasave individuale të sigurimit të jo-jetës, raporti më i lartë i pagesës së dëmeve rezulton në klasën “sigurimi i mjeteve motorrike” (kasko), ku raporti është 76.5% në 2010. Ndërsa në sigurimin e jetës, raporti është më i lartë në klasën e “sigurimit të jetës së debitorit ” ku raporti është 10.9% në 2010.

Tregu i sigurimeve është shumë i rëndësishëm sepse lejon kalimin e rreziqeve nga një palë tek një tjetër. Pra individët dhe bizneset që nuk duan të mbajnë rrezik, mund t’ja kalojnë atë një shoqërie sigurimi. Ky është një funksion thelbësor për funksionimin e mirë të një tregu ekonomik dhe financiar në një vend.