Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi rritjen e popullsisë në Kosovë, bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës së Kosovës (ESK).

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, rezulton se numri i popullsisë së Kosovës ka ndryshuar si më poshtë:

 

Burimi: Enti i Statistikës së Kosovës (ESK)
Analiza dhe Komentet: ODA

Bazuar në të dhënat e ESK, në vitin 2009, popullsia e Kosovës rezulton të jetë 2,181,000 banorë. Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, vihet re një rritje e vazhdueshme e popullsisë në Kosovë. Në 2009, popullsia është rritur me 1.3%, krahasuar me vitin e mëparshëm.

Kjo normë është shumë më e lartë se në Shqipëri, ku në të njëjtën periudhë, rritja e popullsisë rezulton 0.75% (rreth 2 herë më pak se në Kosovë).

Shtimi natyror i popullsisë rezulton sipas këtij grafiku:


 

Burimi: Enti i Statistikës së Kosovës (ESK)
Analiza dhe Komentet: ODA

Bazuar në të dhënat e ESK, në 2009, shtimi natyror (i cili llogaritet si diferenca e lindjeve dhe vdekjeve), rezulton 27,210 persona. Kjo normë ka qënë e luhatshme gjatë viteve, dhe normën më të lartë e ka arritur në 2002, kur shtimi natyror ishte 30,482 persona.

Duke analizuar të dhënat, mund të thuhet se popullsia e Kosovës po rritet relativisht shpejt, mesatarisht me 1.35% gjatë viteve të fundit. Kjo normë rritje është rreth 2 herë më e lartë se rritja e popullsisë së Shqipërisë. Një normë e lartë shtimi natyror, është faktori kryesor që ndikon në ngadalësimin e plakjes së popullsisë.