Shoqëria civile merr financim nga buxheti i shtetit, financim ky i cili  administrohet nga Agjensia për Mbështetjen e Shoqërise Civile. AMSHC-ja është një ent publik qëndror, buxhetor dhe vepron për përmbushjen e misionit dhe të objektivave të saj në përputhje me ligjin Nr.10 093, datë 9.3.2009.

Ajo ka në përbërje të saj 13 punonjës. Statuti i Agjencisë është i miratuar nga Këshilli i Ministrave. Misioni i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile është nxitja, nëpërmjet asistencës financiare, e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimi i kushteve të favorshme për nisma qytetare në të mirë dhe interes të publikut, në përputhje me nenin 4 të ligjit.

Viti 2008 është viti i parë në të cilin fillon financimi nga Buxheti i Shtetit për këtë Agjenci. Kjo agjenci buxhetohet nëpërmjet zërit “planifikim, menaxhim dhe administrim”. Nga grafiku vërejmë që për periudhën nga 2008 – 2013 nuk ka një trend të evidentuar rritës ose zbritës.

Shuma më e lartë e financimit për këtë zë ka qenë në vitin 2008 prej 150 milion lek. Ndërsa viti 2009 është viti me buxhetin më të ulët prej  78 milion e 450 mijë lekë. Viti aktual 2013 ka të planifikuar vlerën më të lartë të shënuar që prej vitin 2009 me 117 milion e 900 mijë lek.


Burimi: Ministria e financave, Buxheti i konsoliduar 2008 – 2013
Perpunimi dhe komente: ODA