Remitancat janë transfertat neto pa kundërshpërblim për/nga jashtë vendit. Këto transferta ndryshe njihen si dërgesa të emigrantëve. Ato janë një komponent thelbësor në llogarinë korrente të Bilancit të Pagesave. Remitancat nëpërmjet transfertave bankare që dërgojnë emigrantët në vendin e origjinës kanë një rol të rëndësishëm në nivelin e të ardhurave, në cilësinë dhe standardin e jetesës apo në ekonominë e vendit përfitues.

Open Data Albania po përditëson të dhënat mbi vlerën e remitancave në vitet 2010-2012. Grafiku më poshtë paraqet ecurinë e remitancave në milion Euro në këto vite:


Burimi: Banka e Shqipërisë       
Komentet dhe Analiza: ODA

Në 2010-ën konstatojmë se vlera e dërgesave të emigrantëve shënon 690 milion Euro. Kjo vlerë është ulur në 665 milion Euro në vitin 2011 për t’u rritur sërish në vitin 2012 në vlerën 675 milion Euro.

Në një shtrirje më të gjatë kohore (dhjetë vjecari 2002-2012) remitancat paraqiten në grafikun si vijon:



Burimi: Banka e Shqipërisë       
Komentet dhe Analiza: ODA

Remitancat në këtë dhjetë vjeçar kanë pasur tendencë rritëse në gjysmën e parë përkatësisht nga 693 milion Euro në vitin 2002 në 952 milion Euro në vitin 2007. Nga ana tjetër pesë vitet e fundit tregojnë një rënie të remitancave nga 952 milion Euro në vitin 2007 në 675 milion Euro në vitin 2012.

Ndryshimet e remitancave në përqindje ndaj vitit paraardhës paraqiten në grafikun më poshtë:


Burimi: Banka e Shqipërisë       
Komentet dhe Analiza: ODA

Gjatë harkut kohor prej dhjetë vitesh  remitancat shënojnë rritjen më të madhe në vitin 2006 ku dërgesat e emigrantëve janë rritur 15.8% krahasuar me vitin 2005. Rënien më të madhe remitancat e kanë shënuar në vitin 2008 ku janë ulur me 13.01% krahasuar me vitin 2007.

Arsyet lidhur me maksimumin dhe minimumin e arritur të dërgesave të emigrantëve lidhen dhe me faktin nëse ekonomia globale dhe kryesisht ajo e vendeve të zhvilluara ku emigrantët punojnë dhe jetojnë ndodhet aktualisht në recesion apo ekspansion ekonomik. Faktet tregojnë që kriza ekonomike globale e vitit 2008 ka ndikuar drejtpërdrejtë në remitancat e vendit tonë.

Open Data Albania gjithashtu ka hulumtuar lidhur me vlerën në milion Euro të dërgesave nga/për jashtë vendit.

Tabela më poshtë jep vlerat e remitancave hyrëse dhe dalëse për periudhën 2004-2012:


Burimi: Banka e Shqipërisë       
Komentet dhe Analiza: ODA

Një fenomen interesant është fakti që përveç flukseve hyrëse kemi dhe transferta dalëse nga vendi ynë drejt vendeve të tjera. Konkretisht në vitin 2010 shënohet vlera më e madhe e remitancave dalëse me 6.7 milion Euro. Megjithëse shumë e vogël kjo shifër konsiston me vlera të fituara nga punësimi i shtetasve të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë. Shumë të huaj të punësuar në Shqipëri transferojnë pagat e tyre në vendet ku ata janë rezidentë të përhershëm.