Open Data Albania po hulumton mbi raportin se si qëndron vlera e Remitancave tek Investimet e Huaja Direkte. Të dy këta indikatorë janë flukse hyrëse të bilancit të pagesave dhe janë dy tregues të rëndësishëm për rritjen e ekonomive kombëtare. Investimet e huaja direkte, përfshijnë investimet e individëve dhe institucioneve të huaja në ekonominë vendase, nëse investimi e bën investitorin pronar të më shumë se 10% të kapitalit të një ndërmarrje.

Open Data Albania ka përditësuar të dhënat e Remitancave dhe Investimeve të Huaja Direkte  për periudhën 2010-2012. Gjatë këtij trevjeçari vlera e Investimeve të Huaja Direkte është më e lartë se vlera e Remitancave. Në vitin 2010 shënohet edhe diferenca më e lartë mes vlerës së remitancave si dërgesa të emigrantëve dhe vlerës së investimeve të huaja direkte.

Në këtë vit remitancat shënojnë 690 milion euro ndërsa IHD janë në vlerën 789 milion euro. Ky është viti i parë kur remitancat bien nën vlerën  e investimeve të huaja direkte. Kjo diferencë në favor të vlerës së investimeve të huaja vjen për shkak të rënies së dërgesave të emigrantëve e njëkohësisht edhe si rrjedhojë e rritjes në vlerë të investimeve të huaja direkte.

Diferenca është zvogëluar në dy vitet pasardhëse si 2011 dhe 2012. Në këto dy vite vlera e investimeve të huaja direkte ka rënë përkatësisht në 717 dhe 727 milion euro. Megjithëse ne vlerë më të lartë se vlera e remitancave, ecuria e dy viteve të fundit për investimet e huaja direkte dëshmon sërish se ekonomia shqiptare mbështetet ende qëndrueshëm tek dërgesa të shqiptarëve që punojnë jashtë vendit. Tendenca për të pasur investime të huaja dhe treg më të mirë punësimi në vend, është ende tepër e brishtë dhe jo e qëndrueshme.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Në një hark më të gjatë kohor prej dhjetë vitesh 2002-2012, raporti i këtyre dy vlerave paraqitet tepër interesant. Në 2002- 2006, investimet e huaja direkte qëndronin në vlerë inferiore kundrejt dërgesave nga emigrantët. Në këtë katërvjeçar emigrantët sillnin në atdhe 3 – 4.5 herë më shumë euro seç sillnin investitorët e huaj direkt.

Viti 2006 – 2010 është vit me rritje progresive të vlerave të investimeve të huaja direkte. Ky hark kohor shënon një moment pozitiv për ekonominë vendase. Gjithsesi vlera e remitancave është gjithashtu e konsiderueshme me një luhatje gjatë dhjetëvjeçarit nga 665 milion euro viti me vlerë më të ulët, në 952 milion euro viti më i mirë në vlerë.

Remitancat dhe Investimet e Huaja Direkte ne milione Euro


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Duke bërë këtë lloj analize krahasuese, se si pozicionohen remitancat kundrejt IHD-ve hulumtohet me kujdes roli i secilit tregues dhe i të dyve sëbashku në ekonominë e brendshme.

Grafiku në vijim paraqet përqindjen që zënë remitancat në IHD:


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Kjo përqindje ka ardhur duke u ulur çka vërteton edhe njëherë faktin që nëse në periudhën e parë të dhjetëvjeçarit remitancat ndihmonin ekonominë të zhvillohej duke qenë se zinin një pjesë shumë të rëndësishme të PBB, në pjesën e dytë kjo situatë ndryshon në favor të IHD-ve.