Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi raportin se si qëndrojnë Remitancat tek Eksportet si dy tregues për flukse hyrëse në bilancin kombëtar të pagesave. Remitancat janë dërgesa të emigrantëve që punojnë jashtë vendit, ndërsa Eksportet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave/shërbimeve të shitura/kryera jashtë vendit. Të dyja këto vlera kanë rëndësi për ekonominë kombëtare dhe standardin e jetesës në vend.

Në shtrirje kohore dhjetëvjeçare 2002 – 2012, pozicionimi i këtyre dy vlerave me njëra tjetrën na paraqitet tepër interesant. Në harkun kohorë 2002 – 2007 remitancat qëndrojnë në vlerë më të lartë se eksportet duke dëshmuar një ekonomi të dobët prodhuese që bazohej tek dërgesat e shtetasve pjesë e tregut të punës jashtë vendit.

Në vitin 2008 kjo diferencë ndryshon dhe ky është viti i parë në të cilin vlera e mallrave dhe shërbimeve të shitura jashtë vendit qëndron më lart se vlera e parave që ekonomia vendase përfton nga dërgesat e emigrantëve. Diferenca u lëkund përsëri në vitin 2009 ku remitancat shënuan një vlerë më të lartë se të ardhurat nga eksporti. Tre vitet e fundit shënojnë një rritje në vlerë për eksportet duke krijuar edhe një diferencë progresive eksport kundrejt remitancave me vlerë pozitive.

Remitancat dhe Eksporti ne milione Euro


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Në tre vitet e fundit (2010-2012) eksportet janë shumë më të mëdha në vlerë krahasuar me remitancat. Gjatë këtyre tre viteve remitancat kanë qenë thuajse konstante, ndërsa eksportet janë rritur nga një miliard e njëqind e shtatëdhjetë e dy milion euro në vitin 2010 në një miliard e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy milion euro në vitin 2012.

Krahasimi i remitancave dhe eksporteve, dhe raportit ndërmjet dy vlerave, synon të hulumtojë mbi trendin e ekonomisë së brendshme dhe kontributin në bilancin e pagesave kombëtarë. Nëse në vitin 2002, remitancat ishin sa dyfishi i vlerës së eksporteve në vitin 2012 kjo vlerë e dërgesave të emigrantëve nga jashtë përbën vetëm 50% të vlerës së eksporteve. Ky ndryshim i theksuar e ka bazën tek rritja e vlerës së eksporteve gjatë dhjetë viteve.

Grafiku në vijim fokusohet tek përqindja që zënë remitancat tek të ardhurat nga eksportet:


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA