Open Data Albania ka hulumtuar mbi numrin e votave të pavlefshme dhe votave të dëmtuara në procesin zgjedhor 2011. Vota e pavlefshme ka disa karakteristika për të qenë e tillë. Në çdo rast ajo nuk shënon rezultat pasi pavlefshmëria konsiston ose në paqartësi të vullnetit zgjedhor ose në parregullsi proçeduriale që nënkuptojnë defekte në procesin e votimit.

Në Kodin zgjedhor janë parashikuar si të pavlefshme rastet si vijon: a) fleta e votimit nuk ka të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ-ja; b) fletës së votimit i mungojnë vulat e parashikuara në nenin 103 të këtij Kodi; c) në fletën e votimit janë bërë shënime apo shenja që bëjnë të pamundur vlerësimin e votës; ç) në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të subjekteve të caktuara zgjedhore; d) është votuar për më shumë se një nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit;  dh) nuk është votuar për asnjë nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit; e) nuk është e qartë se për kë është votuar; ose ë) zgjedhësi ka votuar për një person apo subjekt që nuk është në fletën e votimit. Në çdo rast vota e pavlefshme është fletë votimi e gjetur në kuti.

Votë e dëmtuar është një fletë e cila nuk gjendet në kuti por është administruar nga komisioni i qendrës së votimit. Ky rast përkon me parashikime në kod:

1. Nëse shënimi në fletën e votimit apo në të paktën një nga fletët e votimit bëhet jashtë dhomës së fshehtë, zgjedhësi nuk lejohet të fusë fletën/fletët e votimit në kuti. Fleta e votimit konsiderohet e dëmtuar dhe futet në zarfin “flete votimi te dëmtuara” dhe zgjedhësit i jepet një fletë votimi e dytë.

2. Nëse zgjedhësi bën shënim ose e dëmton fletën e votimit pa dashje dhe kërkon një fletë votimi të dytë, fleta e votimit konsiderohet e dëmtuar dhe futet në zarfin “fletë votimi të dëmtuara ” dhe zgjedhësit i jepet një fletë votimi e dytë.

Nëse pasaktësitë e mësipërme ndodhin për herë të dytë, votuesit nuk i jepet më fletë votimi kështu ai humbet të drejtën e tij të votës. Në rastin kur vota është bërë e dëmtuar duke u shënuar jashtë dhomës së votimit jemi përpara situatës kur vota është ekspozuar. Nëse ekspozimi është bërë jo nga pakujdesia por me qëllim dhe duke pasur arsye për t´ja treguar një personi konkret, atëherë jemi përpara një shkelje të rëndë deri në kufijtë e veprimit që përbën vepër penale. Kjo pasi ekspozimi përkon me premtime dhe tentativa për blerje të votës apo votim familjar.

Në zgjedhjet për organe të qeverisjes vendore votohet për kryetarët e njësive administrative dhe këshilltarët e njësive. Në kontekstin e pavlefshmërisë dhe dëmtimit, theksojmë se vlerat e paraqitura ne tabele janë  vetëm për votën e këshillit. Kemi bërë një marrëveshje të tillë, duke qenë se vota për këshillin është votë e pastër për partinë dhe nuk ndikohet nga perceptime subjektive për individin kandidat. Janë analizuar të dhënat për 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë. Nga Kodi zgjedhor  jepet përkufizimi i mëposhtëm se çfarë quhet votim i pavlefshëm.

Për lehtësi vlerësimi janë konsideruar pavlefshmëritë në rastin e fletës ku votohet për këshilltarët e njësive vendore. Në rang kombëtar nga 1 616 694 votues që kanë ushtruar të drejtën për votim, 44 250 kanë humbur të drejtën për të ushtruar vullnetin e tyre me votim për shkak të pavlefshmërisë në fletën e votimit.

Në disa raste pavlefshmëria vjen si pasojë e ndonjë gabimi njerëzor nga votuesi, ndërsa në raste të tjera fleta e votimit ka qenë difektoze ose është bërë e tillë si pasojë e gabimeve nga administratorë të zgjedhjes që kanë kompetencë për materialin zgjedhor fletë votimi. Vota të pavlefshme janë 2.73% e totalit. Në një rezultat zgjedhor tepër të ngushtë kjo lloj vlere mund të ndryshojë edhe fituesin.

Votimi i pavlefshem dhe vota e demtuar ne zgjedhjet lokale 2011, vota per keshillin


Burimi: cec.org.al, Rezultatet e zgjedhjeve vendore 2011
http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-vendore/2011/HTML_31.10/buletini_prova261211.htm
Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë
Komentet dhe përpunimi: ODA

Qarku me pavlefshmërinë më të madhe është Berati me 3.84% të totalit. Dibra shënon vlerën 3.77%. Po në nivel të lartë pavlefshmërie është edhe Korça me 3.58 dhe Tirana me 3.15%.


Burimi: cec.org.al, Rezultatet e zgjedhjeve vendore 2011
http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-vendore/2011/HTML_31.10/buletini_prova261211.htm
Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë
Komentet dhe përpunimi: ODA


Burimi: cec.org.al, Rezultatet e zgjedhjeve vendore 2011
http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-vendore/2011/HTML_31.10/buletini_prova261211.htm
Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë
Komentet dhe përpunimi: ODA

Persa i përket votës së dëmtuar në total në rang vendi vlera është 12 879 fletë të dëmtuara për votimin e këshillit. Kjo përbën 0.7 % të totalit të votuesve.

Vota e demtuar, Procesi 2011   


Burimi: cec.org.al, Rezultatet e zgjedhjeve vendore 2011
http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-vendore/2011/HTML_31.10/buletini_prova261211.htm
Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë
Komentet dhe përpunimi: ODA