Open Data Albania ka kryer një përditësim mbi fitimin e sistemit bankar shqiptar. Raporti bazohet në të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Sistemi bankar është një pjesë tepër e rëndësishme e ekonomisë dhe sistemit financiar, e për këtë arsye zhvillimi i tij paraqet interes të veçantë. Fitimi i sistemit mund të matet përmes disa treguesve. Dy treguesit kryesorë janë:

• Kthimi nga kapitali aksioner (në %), i cili mat raportin e fitimit neto vjetor kundrejt kapitalit aksioner të bankës;

• Kthimi nga aktivet mesatare (në %), i cili mat raportin midis fitimit neto vjetor kundrejt mesatares së aktiveve totale të bankës.

Marzhi neto i fitimit, është një indikator i rëndësishëm, i cili ndikon të dy treguesit e mësipërm. Ai matet si raport i fitimit neto kundrejt kthimit total të siguruar gjatë vitit. Duke filluar nga viti 2001, kthimi nga kapitali aksioner dhe nga aktivet mesatare ka ndryshuar sipas grafikut:


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, fitimi i sistemit bankar shqiptar ka pësuar një rënie drastike gjatë viteve 2008 – 2011. Ndërkohë që gjatë periudhës 2001-2007 kthimi nga kapitali aksioner ka qenë brenda kufijve 19-24%, në vitet 2008, 2011 ky kthim ka rënë përkatësisht në 11.35% dhe 0.8%. I njëjti trend vihet re edhe për treguesin e kthimit nga aktivet mesatare.

Faktorët kryesorë të rënies së treguesit të kthimi nga kapitali aksioner dhe kthimit nga aktivet mesatare, janë ulja e marzhit neto dhe rritja e kapitalit aksionar (me qëllim rritjen e shkallës së kapitalizimit). Të dy këta faktorë kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e kthimit neto për sistemin bankar.

Grafikisht marzhi neto ka ndryshuar sipas grafikut:


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Marzhi neto i fitimit është ulur gjatë viteve të fundit për disa arsye. Mund të përmendim si më kryesoret:

• Rritjen e konkurrencës midis bankave;
• Forcimin e bazës rregullative dhe rritjen e kapitalizimit;
• Ngadalësimin e zgjerimit territorial për shkak të arritjes afër kapacitetit të tregut;
• Krizën financiare globale, që u shoqërua me ngadalësim kreditimi dhe tërheqje depozitash.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit fitimi i sistemit bankar në Shqipëri paraqitet grafikisht si më poshtë:


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Vendi ynë qëndron në nivele mesatare krahasuar me vendet e tjera të rajonit si Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Greqia, Italia, si përsa i përket kthimit nga kapitali aksioner ashtu dhe nga kthimi nga aktivet mesatare. Në vitin 2008 Shqipëria qëndron në nivele të përafërta të raportit të fitimit neto vjetor kundrejt kapitalit aksioner të bankës me Serbinë dhe Maqedoninë. Përkatësisht kthimi nga kapitali aksionar për Shqipërinë në këtë vit shënonte vlerën 11.4%, për Serbinë 10.7% dhe për Maqedoninë 12.5%.