Duke marrë shkasë nga dëmi i lartë ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit i evidentuar gjatë punës audituese të KLSH-së për vitet 2011-2012, Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi institucionet dhe shoqëritë kryesore që kanë shkaktuar pjesën më të madhe të tij.

Kështu, gjatë vitit 2011, dëmi ekonomik ishte rreth 7 miliardë lekë, 55.7% e të cilit apo 3.9 miliardë lekë u shkaktua vetëm nga Albpetrol sh.a. kryesisht si pasojë e furnizimit me naftë bruto, gaz natyror dhe hollues nga ARMO sh.a. si dhe nga moslikujdimi në afat i faturave të shitjes së naftës. Në vend të dytë renditet një tjetër sh.a., OST-ja, me rreth 1.9 miliardë lekë, që përbën edhe 27% të dëmit total për 2011-n.

Përvec këtyre dy shoqërive që kanë shkaktuar pjesën më të madhe të dëmit, interes paraqesin edhe disa institucione qëndrore e vendore. Drejtoria e Politikave të Pyjeve dhe Kullotave Tiranë është institucioni me dëmin më të lartë ekonomik për 2011-n, me rreth 342 milionë lekë, i evidentuar në sektorin e “shitjes dhe dhënies me qera të pasurisë publike”.

Pas saj vijnë: dëmi prej 142.8 milionë lekësh në sektorin e doganave, i shkaktuar nga Dega e Doganës Durrës; Bashkia Lushnje me 49.1 milionë lekë, ku pjesa më e madhe i përket dëmit në urbanistikë (rreth 32.3 milionë lekë apo 65%) dhe në prokurime (13.4 milionë lekë); Universiteti “Ismail Qemali Vlorë”, me 48.7 milionë lekë, ndër të cilat 31 milionë lekë dëm në sektorin e tatim-taksave dhe 17 milionë lekë në sektorin e pagave; Bashkia Tiranë me 41.9 milionë, ku 73% e dëmit apo rreth 30 milionë lekë është evidentuar në sektorin e prokurimeve dhe 7.5 milionë në sektorin e tatim-taksave; Bashkia Durrës me dëm 26.1 milionë lekë, 86% e së cilës në fushën e prokurimeve; Bashkia Fier me dëm rreth 25.6 milionë lekë, ku pjesa më e lartë e dëmit edhe këtu është evidentuar në fushën e prokurimeve (41%), por edhe në urbanistikë (33.5%), për ta mbyllur me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 23.2 milionë lekë, ndër të cilat 15.2 milionë në sektorin e prokurimeve dhe 8 milionë lekë në sektorin e shpenzimeve operative.

Ndërkohë, përveç këtyre institucioneve, mund të përmenden edhe dy projekte me financim të huaj, kontrolli i të cilave ka rezultuar me dëm relativisht të lartë ekonomik: projekti “Ndërtimi i rrugës Lushnje-Fier” me 28.8 milionë lekë dhe “Menaxhimi i burimeve ujore” me 24.7 milionë lekë. Sipas KLSH-së, dëmi i tyre ka konsistuar kryesisht në fushën e pagave, shpërblimeve dhe prokurimeve.
Grafiku në vijim paraqet dëmin ekonomik në vlerë për shoqëritë, institucionet apo projektet kryesore që kanë e ka shkaktuar atë për vitin 2011:


Burimi : Kontrolli i Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Tabela përkatëse paraqitet:


Burimi : Kontrolli i Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

  1. Të dhënat mbi dëmin ekonomik për vitin 2011 janë marrë nga Raporti Vjetor i KLSH.