Open Data Albania po hulumton mbi të ardhurat dhe shpenzimet për skemën e sigurimeve  shoqërore si dhe diferencën që mbulohet nga buxheti i shtetit.  Skema e kontributeve administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe ka pesë degë sigurimi: të sëmundjeve; të barrëlindjes; të pensioneve; aksidente dhe sëmundje profesionale; si dhe të papunësisë.

Skema e sigurimeve shoqërore është e detyruar për të gjithë individët e punësuar, por pjesë e saj mund të bëhet dhe individë të tjerë nëpërmjet skemës së sigurimit vullnetar. Të ardhurat nga kontributet për  sigurimet shoqërore vijnë nga pagesat që kryejnë të punësuarit, punëdhënësit, të vetpunësuarit, si dhe të personat e papunësuar. Norma e kontributit për sigurimet shoqërore është 24.5%, nga të cilat 15% paguhen nga punëdhënësi dhe 9.5% paguhen nga punëmarrësi.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore tregojnë një tendencë në rritje që nga vitit 1993 e deri në vitin 2013. Po ashtu, edhe shpenzimet që kryhen në favor të përfituesve nga skema e sigurimeve shoqërore kanë një tendencë në rritje vit pas viti.


Burimi: MF
Përpunimi dhe komentet: ODA

Ajo çka duket interesante është rritja në përqindje kundrejt vitit paraardhës që kanë pësuar të ardhurat dhe shpenzimet për sigurimet shoqërore. Në dhjetë vitet e fundit, vëmë re ulje dhe ngritje të vazhdueshme të të ardhurave nga kontributet për sigurime shoqërore, çka shpjegohet dhe me ndryshimet që ka pësuar norma e kontributeve përgjatë këtyre viteve.

Viti me rritjen më të madhe është ai 2004, ndërsa viti 2012 tregon dhe rritjen më të vogël përgjatë këtyre viteve me 1.5%. Një situatë më pak të luhatshme paraqesin shpenzimet, ku nga viti 2003 e deri në vitin 2006 kemi një ritëm rritje prej 10%. Viti 2007 përbën dhe vitin me rritjen më të madhe të shpenzimeve me 13%.


Burimi: MF
Përpunimi dhe komentet: ODA

Që nga viti 1993 dhe deri në fund të vitit 2013, shpenzimet për sigurime shoqërore kanë qenë më të mëdha se të ardhurat nga këto kontribute. Kjo diferencë mes tyre mbulohet nga buxheti i shtetit. Viti 2004 është viti me financimin më të vogël nga buxheti konkretisht me 31.5% të shpenzimeve. Që nga ky vit hendeku mes shpenzimeve dhe të ardhurave është thelluar,duke arritur në vitin 2013 në 47%.


Burimi: MF
Përpunimi dhe komentet: ODA

Për vitin 2013 ritmi i rritjes së shpenzimeve për sigurime shoqërore ishte sa dyfishi i ritmit të rritjes së të ardhurave. Kjo diferencë u pasqyrua dhe në diferencat mes të ardhurave të mbledhura dhe shpenzimeve. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore arritën në 51.063 mld, ndërsa shpenzimet në 95.598 mld. Mbulimi nga buxheti i shteti arriti në 47% të të shpenzimeve të kryera, me një vlerë prej 44.535 mld.


Burimi: MF
Përpunimi dhe komentet: ODA