Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me numrin e subjekteve financiare që janë licencuar nga Banka e Shqipërisë në vitet 2002-2013. Subjektet financiare që licencohen nga Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë janë Bankat e Nivelit të dytë dhe ato të Huaja, Institucionet Financiare Jo banka, Zyrat e Këmbimit Valutor, Unionet e Shoqërive të Kursim-Kreditit dhe Shoqëritë e Kursim-Kreditit.

Bankat e Nivelit të Dytë janë banka tregtare që pranojnë depozita monetare ose fonde të tjera te ripagueshme nga publiku dhe i përdorin ato për dhënie kredie dhe emetim të mjeteve të pagesës në formën e parasë elektronike.

Degë të bankave të Huaja janë ato banka të huaja që ushtrojnë  veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet një dege të saj. Për këtë qëllim ato depozitojnë në Bankën e Shqipërisë shumën e dhuruar të kapitalit fillestar minimal të kësaj të fundit, prej jo më pak se 1 miliard lekë.

Institucionet Financiare JoBanka janë shoqëri të cilat kryejnë aktivitete të ndërmjetësimit financiar  dhe aktivitete të tjera ndihmëse, të lidhura ngushtë me ndërmjetësimin financiar por që nuk klasifikohen si pranuese depozitash.

Zyrat e Këmbimit Valutor janë institucione në të cilat kryhen transaksione te këmbimit të valutës. Shoqëritë e Kursim-Kreditit janë institucione financiare të cilat pranojnë depozita vetëm nga anëtarët e tyre, dhe i japin hua këto fonde për të siguruar fitim.

Unionet e Shoqërive të Kursim-Kreditit kanë për detyrë të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë gjendjen financiare dhe normat e mbikëqyrjes mbi baza individuale dhe në mënyrë të përmbledhur për të gjithë rrjetin e shoqërive të kursim-kreditit.

Numri i subjekteve financiare te licencuara nga Banka e Shqipërisë 2002-2013


Burimi: Banka e Shqipërisë

Komentet dhe analiza: ODA

Në vitin 2013 në Shqipëri operojnë 333 Zyra të Këmbimit Valutor. Licencimi i tyre gjatë këtij viti ka rrjedhur me një ritëm më të ulët krahasuar me vitin paraardhës. Konkretisht u licencuan 18 zyra të këmbimit valutor dhe u revokua licenca e 7 prej tyre.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Numri i subjekteve JoBanka në vitin 2013 nuk pati ndryshime pasi u akorduan 3 licenca të reja për veprimtarinë e faktoringut dhe të qirasë financiare, dhe njëkohësisht u revokuan 3 licenca të tjera. Revokimi i licencave të 3 subjekteve financiare JoBanka vjen si rrjedhojë e mosfillimit të veprimtarisë financiare, si pasojë e bashkimit me përthithje me një bankë tregtare dhe me kërkesë të vetë subjektit.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Për Shoqëritë e Kursim-Kreditit, edhe ky vit nuk pati licencime të reja, ndërkohë që numri i tyre u reduktua si rezultat i revokimit të pesë licencave të shoqërive të kursim-kreditit; katër si rrjedhojë e nisjes së procedurës për likuidim dhe një si rrjedhojë e bashkimit me përthithje midis dy shoqërive të unionit.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Në harkun kohor 2002-2013 janë licencuar 192 subjekte financiare nga BSH për të shënuar në 384 subjekte në vitin 2013. Pra në vitin 2013 kryejnë veprimtarinë e tyre dyfishi i subjekteve financiare krahasuar me vitin 2002.