Open Data Albania po përditëson të dhënat lidhur me paranë dhe ekuivalentet e saj për vitin 2013. Ekuivalente të parasë konsiderohen llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me afat maturimi më të shkurtër se tre muaj, si dhe ari dhe metalet e tjera të çmuar të mbajtur brenda dhe jashtë vendit. Të dhënat lidhur me paranë dhe ekuivalentet e saj janë marrë nga Banka e Shqipëris si institucioni kryesor emetues i monedhës tonë kombëtare.

Gjatë vitit 2013 shteti shqiptar ka pasur një vlerë prej 21.66 mld lekë depozita në banka të huaja. Këto depozita nuk janë gjë tjetër veçse para që si pasojë e mos gjetjes së një terreni të përshtatshëm për t’i investuar në vend janë depozituar në bankat jashtë vendit.



Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Në këtë vit depozitat në bankat e huaja përbëheshin 61.5% nga llogari rrjedhëse, 38.4% nga depozita afatshkurtra, 0.1% nga kontrata të së ardhmes dhe shumë pak interes i përllogaritur. Depozitat afatshkurtra dhe llogaritë rrjedhëse në bankat e huaja kanë norma interesi që bazohen në monedhën e depozitës apo llogarisë rrjedhëse. Kontratat e ardhshme janë kontrata standarde për blerjen ose shitjen në një datë të ardhshme të një aktivi financiar ose jofinanciar, me një çmim specifik të paracaktuar.

Më 31 dhjetor 2013, vlerësimi neto për këto kontrata ishte 31 milionë lekë. Tek interes i përllogaritur përfshihen të ardhura të përllogaritura për letra me vlerë të dhëna hua, në një vlerë të përafërt prej dy milionë Lekë.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Në vitin 2007 paratë e depozituara nga shteti shqiptar në vendet e tjera kanë qenë në vlerën e 40. 84 mld lekë. Pra një vlerë rreth dy herë më e lartë se ajo e vitit 2013. Megjithatë konstatohet që vlera më e lartë e depozitave në bankat e huaja është arritur në vitin 2008 dhe paratë e depozituara arrinin vlerën e 58.8 mld lekë.

Sa i takon arit të depozituar nga shteti shqiptar në banka jashtë vendit, për vitin 2013 kjo sasi përbën vlerën ekuivalente me 8,474,000,000 lek. Në këtë kategori përfshihet gjendja e arit jomonetar, platinit dhe argjendit të vlerësuara me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e raportimit.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Interesante është edhe mënyra se si Banka e Shqipërisë ka rritur vlerën e likuiditeteve në monedhë të huaj. Konkretisht në vitit 2007 kjo vlerë ishte vetëm katër milion lekë, për të shënuar vlerën e 1.06 mld lekë në vitin pasardhës. Në vitin 2013 likuiditetet në monedhë të huaj kanë shënuar përkatësisht 40 milion lekë.