Open Data Albania po hulumton mbi të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit nga Renta Minerare. Renta minerare paguhet nga çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me entin publik për burimet natyrore minerare nga/mbi/dhe nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë.

Renta minerare është tatim si përqindje e caktuar mbi vlerën e përgjithshme të shitjes me shumicë të produktit. Në rastin kur produktet shiten brenda vendit, ngarkohen degët e tatimeve për arkëtimin e kësaj rente. Në rastin e eksportit të produkteve minerare, renta paguhet në çastin e bërjes së deklaratës së eksportit dhe janë degët e doganave në rrethe që ngarkohen për arkëtimin e kësaj rente. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalojnë pushtetit vendor në territorin e të cilit zhvillohet veprimtaria eksportuese.

Sipas legjislacionit në fuqi, mineralet ndaj të cilave aplikohet renta minerare janë të kategorizuar në shtatë grupe kryesore: mineralet metalike, mineralet jometalike, qymyret dhe bitumet, mineralet dhe materialet e ndërtimit, gurët e çmuar, gurët gjysëm të çmuar dhe opali, nafta dhe gazi. Rentë prej dhjetë përqind kanë minerale si argjendi dhe ari.

Po në këtë nivel qëndron edhe renta minerare për grupin e gurëve të çmuar, gjysëm të çmuar, opali, nafta dhe gazi. Grupi i mineraleve jometalike e ka rentën minerare 4%. Qymyret dhe bitumet e kanë në nivel prej 5%, me përjashtim të pirobitumit që ka rentë minerare në vlerën 6%. Përqindja e rentës minerare tek mineralet dhe materialet e ndërtimit lëviz nga 4% në 7%.



Burimi: Ministria e Financave, DPD
Përpunimi dhe komentet: ODA

Të ardhurat nga renta minerare të mbledhura në buxhetin e shtetit nga viti 2009 deri në vitin 2013 kanë ardhur në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2009 nga renta minerare u mblodhën 1.6 mld lekë (15.628 mln $), ndërsa në vitin që lamë pas kjo shumë arriti në 8.576 mld lekë (83.766 mln $).

Në këto pesë vite, mesatarisht rreth 73% e të ardhurave, mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Dogana, ndërsa pjesa tjetër prej 27% mblidhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ky fakt na sugjeron se pjesa më e madhe e prodhimit të mineraleve destinohet për eksport.


Burimi: Ministria e Financave, DPD
Përpunimi dhe komentet: ODA

Përsa i përket vitit 2013, të ardhurat në total nga renta minerare ishin 8.576 mld lekë (83.766 mln USD), ku 7.776 mld lekë (75.952 mln USD) u mblodhën nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe vetëm 0.8 mld lekë (7.814 mln USD) nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Konvertimi në dollarë janë me kursin mesatar vjetor të vitit 2013, marrë nga Banka e Shqipërisë.


Burimi: Ministria e Financave, DPD
Përpunimi dhe komentet: ODA

Viti 2010 ka patur rritjen më të madhe të të ardhurave, prej 113% krahasuar me një vit më parë. Në vitet 2011, 2012 kemi një rritje konstante prej 45%, ndërsa në vitin që lamë pas rritja ishte vetëm 20% krahasuar me një vit më parë.


Burimi: Ministria e Financave, DPD
Përpunimi dhe komentet: ODA

Përsa i përket peshës që zënë të ardhurat nga renta minerare në të ardhurat totale të buxhetit mund të themi që kjo peshë ka ardhur vazhdimisht në rritje. Në vitin 2009 kjo peshë ishte vetëm 0.54%, ndërsa në vitin 2013 kjo peshë arriti në 2.6%.


Burimi: Ministria e Financave, DPD
Përpunimi dhe komentet: ODA

Është me shumë rëndësi të kuptohet që arkëtimi i kësaj tarife në buxhetin e shtetit lidhet drejpërdrejt me korrektësinë e deklarimeve të mineralit të nxjerrë nga nëntoka shqiptare e më tej të tregtuar jashtë vendit. Enti publik dhe autoritetet doganore apo tatimore, kanë rol të rëndësishëm në vlerësimin e deklarimeve në respekt të çmimeve të referencës dhe çmimeve në tregje ndërkombëtare. Ndërkohë ende nuk ka ndonjë precedent të verifikimit të konfliktit të interesit në rast të shitjes së mineraleve të nëntokës shqiptare, nga kompani të huaja koncensionare tek kompani simotra, bija apo kompani mëmë sikurse kompani me lidhje të drejtpërdrejt interesi çmime favorizuese.

Mineralet janë asete publike dhe si të tilla shfrytëzimi i tyre përmes koncesioneve duhet të shoqërohet me kontribut direkt në financën dhe shërbimet publike të një vendi. Sipas botimit “Koncesionet në Shqipëri, nga e Drejta Private në të Drejtën Publike” me autore Prof. Asoc. Dr. Argita Malltezi, koncesionet në Shqipëri kanë qenë instrumente të përdorura që në periudhën e sundimit otoman, por kërkimet arkivore mbi këtë periudhë kanë qenë deri më tani të fokusuara në marrëdhëniet politike, më shumë se në ato ekonomike.

Për ilustrim duke ju referuar veprës së Haxhi Shkozës, “Financat e Shqipërisë 1839 – 1934”, në të cilën përshkruhet “Koncesioni i serës (ziftit) ne Selenicën e Vlorës, sipas një fermani të Portës së Lartë, më datë 24. VIII. 1855, rezulton të jetë dhënë e drejta e shfrytëzimit me koncesion të minierës së Selenicës për nëntëdhjetë e nëntë vjet një shoqërie franceze.